Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në skemën e mjekimit për sëmundje të ndryshme infektive apo virale, janë rikthyer medikamente që 10 vjet më parë ishin hequr nga lista për shkak të rezistencës ndaj tyre.
Ministri Petrit Vasili tha se bëhet fjalë për antibiotikë si baktrina apo gentamicina, që kanë një kosto më të lirë dhe sot janë shumë efikase për kurimin e shumë patologjive.
Në ndryshim nga kjo, vitet e fundit, është rritur ndjeshëm numri i pacientëve rezistentë ndaj medikamenteve të shtrenjta, si antibiotikët apo antiretroviralët.
Pas apelit për qytetarët, Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se në luftën kundër rezistencës ndaj antimikrobikëve duhet të përfshihen dhe farmacistët. Vasili tha se farmacistët duhet të zbatojnë ligjin sipas të cilit, nuk lejohet dhënia e antibiotikëve pa recetën e mjekut specialist.
Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, mësohet se për sëmundje infektive si leshmanjoza, por edhe HIV/AIDS numri i pacientëve rezistentë ndaj mjekimit është rritur ndjeshëm.
Kjo ka rritur koston e shpenzimeve në sektorint e shëndetësisë, për shkak të kohës së qëndrimit të një pacienti në spital. Por rezistenca ndaj antibiotikëve ka rritur dhe numrin e vdekjeve për shkak të mungesës së zëvendësimit të tyre me barna alternativë.
Ministria e Shëndtësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë do të nënshkruajnë një marrëveshje për hartimin e një plani 2-vjecar i cili do të ketë për synim reduktimin e numrit të pacientëve rezistentë ndaj medikamenteve, trajnimin e personelit mjekësor për dhënien me efikasitet të barnave, si dhe ndërgjegjësimin qytetar për të konsumuar barna vetëm me këshillën e mjekut.
Top Channel