Siri, Assad: Konflikti do të vazhdojë

20/11/2011 11:15

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, deklaroi të dielën se vendi i tij nuk do të gjunjëzohet përballë presionit ndërkombëtar, ndërsa parashikoi që përplasjet e dhunshme do të vazhdojnë.

Në një intervistë të publikuar në “Sunday Times”, Assad theksoi se nuk do të tërhiqet pasi “rrezikohet uniteti dhe stabiliteti i vendit”. “Konflikti do të vazhdojë dhe së bashku me të edhe presioni ndërkombëtar mbi Sirinë. Megjithatë, ne nuk kemi ndërmend të gjunjëzohemi dhe do të vazhdojmë t’i rezistojmë banditëve brenda vendit dhe kolonizatorëve jashtë tij”, theksoi Assad.

Liga Arabe i dha kohë Damaskut deri të shtunën që të plotësonte disa kushte ose të përballej me sanksione. Ndonëse propozimi u pranua zyrtarisht, nuk ka asnjë shenjë të reduktimit të dhunës.

Ndërkohë, aktivistët lajmëruan se në orët e para të mëngjesit, një godinë qeveritare u trondit nga shpërthimi i një granate. Nëse lajmi do të konfirmohet, do të përbëjë sulmin e parë brenda kryeqytetit që prej fillimit të revoltave, disa muaj më parë.

Të paktën 27 persona humbën jetën në përballjet e përgjakshme gjatë të shtunës, midis të cilëve edhe katër agjentë të shërbimeve sekrete, të cilët ranë në një pritë të dezertorëve të ushtrisë, pranë qytetit të Hamës.

Liga Arabe hedh poshtë kërkesën e Sirisë për rinogocim të marrëveshjes

Liga Arabe hodhi poshtë kërkesën e Sirisë për të rinegocuar termat e ultimatumit të dhënë më parë, informuan burime zyrtare gjatë së dielës.

Një plan i parashtuar nga Liga që synonte t’i jepte fund konflikteve u pranua formalisht më parë prej Damaskut, por me shtojcën që disa prej pikave të marrëveshjes të rishiheshin.

Me tejkalimin e afatit të fundit për dhënien fund të dhunës, që ishte dita e shtunë, tashmë Siria pritet të përballet me sanskione të ashpra nga ana e bashkësisë arabe.

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, plani i paraqitur prej Ligës ishte i arsyeshëm dhe përbënte nismën më të mirë deri më sot për të sjellë paqe në vendin e trazuar.

Top Channel