Siria pranon ultimatumin e Ligës Arabe

18/11/2011 10:15

Siria ka vendosur të pranojë ultimatimun e Ligës Arabe, e cila e kërcënoi me sanksione dhe izolim, në rast se nuk do të pranohej një mision diplomatik i cili do të mbikqyrte procesin e rikthimit të paqes në vendin e madh arab.

Lajmin e konfirmoi pas mesditës së të premtes “BBC”, e cila iu referua një burimi të sigurt në Damask. Informatori shtoi se Liga Arabe është vënë në dijeni të këtij vendimi. Mësohet se ”Siria ka pranuar në tërësi planin e paraqitur nga Liga Arabe dhe do të kërkojë të bëjë vetëm ndryshimin e disa detajeve të vogla”.

Liga Arabe dhe presidenti Bashar al-Assad ranë dakord edhe më parë për një plan që duhet të sillte paqen, por që nuk u zbatua asnjëherë nga Damasku zyrtar.

Në javën e fundit, më shumë se 370 persona kanë humbur jetën në përleshje, ndërsa në total, numri i viktimave të shkaktuara që prej nisjes së konflikteve në mars, ka kaluar në mbi 3 500.

OKB, rezolutë e re për Sirinë

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe do të paraqesin në OKB një
rezolutë të përbashkët, në të cilën do të bëjnë thirrje për dhënien
fund të dhunës në Siri.

Rezoluta, e cila kërkon ndihmën e Ligës Arabe, është mirëpritur nga vendet që formojnë këtë organizëm.

Megjithatë, me Këshillin e Sigurimit që ka hedhur poshtë një rezolutë të mëpërshme ndaj Sirisë, pas vetos së Rusisë dhe Kinës, dokumenti do të paraqitet për debat vetëm në Asamblenë e Përgjithshme, e cila nuk e njeh të drejtën e vetos, por as nuk mund të vendosë pa ia kaluar dokumentetin Këshillit.

Më parë gjatë javës, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se konflikti në Siri po merr gjithmonë e më shumë pamjen e një lufte civile. Megjithatë, ai refuzoi të përkrahte thirrjet për ndihmë të opozitës siriane.

Pas vetos së vendosur më parë, vendet perëndimore kanë mbetur të “çarmatosura” për dënimin e dhunës në Siri dhe kjo është një përpjekje e re për të rritur presionin ndërkombëtar mbi regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

Pritet që projektrezoluta të paraqitet për miratim gjatë javës së ardhshme. Në dokument, është vendosur theksi tek shkelja e vazhdueshme e të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve të Damaskut.

Liga Arabe, nga ana e saj, ka lajmëruar se së bashku me Turqinë do të vendosë sanksione mbi Sirinë, nëse nuk do të realizohen disa kërkesa që lidhen me dhënien fund të dhunës në vend. Afati për zbatimin e këtyre kërkesave skadon të premten.

Top Channel