Partia e Suu Kyi, në garë për Parlamentin

18/11/2011 16:30

Liderja pro-demokratike në Birmani, Aung San Suu Kyi ka deklaruar se do të garojë për zgjedhjet parlamentare, pasi partia e saj iu bashkua procesit politik.

Lidhja Kombëtare për Demokraci deklaroi të premten se do të regjistrohej për të garuar në procesin zgjedhor, data e të cilit nuk është përcaktuar ende.

Partia në fjalë bojkotoi zgjedhjet e fundit të mbajtura në nëntor të vitit 2010, të parat që zhvilloheshin në 20 vitet e fundit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë sekretaren Hillary Clinton për të vizituar Birmaninë muajin e ardhshëm.

Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se kjo vizitë synon të vërë në lëvizje progresin në këtë vend.

Zoti Obama foli me Suu Kyi para se të vendoste për vizitën e zonjës Clinton, që do të jetë e para e një sekretareje Shteti në 50 vitet e fundit.

Korrespondentja e BBC për Azinë Juglindore, Rachel Harvey deklaron se këto zhvillime shihen si një miratim i hapave të ndërmarrë nga qeveria civile, e mbështetur nga liderët e rinj ushtarakë, për realizimin e reformave.

Njoftimi nga zonja Suu Kyi dhe partia e saj vjen pas një takimi ku merrnin pjesë 100 anëtarët e Lidhjes Kombëtare për Demokraci.

“Ne unanimisht vendosëm që LKD të regjistrohet sipas ligjeve në fuqi dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Top Channel