Lida Lazaj, karriera e nisur vonë

17/11/2011 18:45

Kur shkruhet profili artistik i një shkrimtari zakonisht fillon me fjalinë klishe: Ka nisur të shkruajë që në moshë të re… Megjithatë, në rastin e shkrimtares Lida Lazaj ka ndodhur krejt e kundërta.

Lida e nisi karrierën artistike kur i kishte mbushur të 45-at. Fëmijët i kishte të rritur dhe tashmë kishte të gjithë hapësirën e nevojshme për t’iu përkushtuar vetvetes. Nisi të lexojë e madje edhe të shkruajë poezi.

I lexonte nën shoqërinë e miqve dhe shokëve, por pa ditur se një ditë shkrimet e saj do të përmblidheshin, për t’u botuar në 2005-ën me titullin “Me zërin tënd’’.

U vlerësua nga kritika e artistëve të Elbasanit, siç është Astrit Bishqemi, Beatriçe Balliçi apo edhe Miljanov Kallupi.

Në disa momente të gjithë kemi shkruar diçka në copa letrash. Por, gruaja që zgjodhi të rendë pas ëndrrës, me shumë këmbëngulje arriti të bëhet një nga anëtaret më aktive në Klubin e Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”, në qytetin e Elbasanit.

Në 2007-ën botoi librin e dytë me haiku, një zhanër pak i lëvruar, por shumë i pëlqyer në Shqipëri. “Gishti i dheut të dhembshur” ishte libri me poezi moderne që u botua në 2008-ën. Mendoni se gjithcka përfundon me kaq? Aspak!

Ishte pikërisht kjo periudha në të cilën Lida filloi të jetojë rininë në moshën e dytë. Mori pjesë në konferenca letrare të zhvilluara në të gjitha trevat shqiptare dhe jashtë saj. Botoi tregime dhe poezi në pjesën më të madhe të shtypit të përditshëm. Dhe vetëm disa kohë më parë në festivalin “Drita e Minatorit” që u organizua Mitrovicë, poetja u vlerësua me çmimin e parë.

Sot Lida është 56 vjeç. Ndoshta është vonë për të shkruar kryeveprën e jetës së saj siç ka ndodhur me shkrimtarë të mëdhenj, por asnjëherë nuk i dihet…

Ndoshta Lida mund të na surprizojë me një vepër madhore kur të ketë hyrë në moshën e tretë.

Top Channel