Belgjika 521 ditë pa qeveri, apel i Mbretit

16/11/2011 16:35

Në ditën kur mbushen 521 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, mbreti i Belgjikës, Alberto II u ka bërë thirrje të gjitha partive politike për gjetjen sa më parë të një marrëveshje politike që do të formonte qeverinë e re.

Mbreti thërriti në zyrën e tij Elio di Rupon, i parë nga shumëkush në vend si kryeministri i ardhshëm. Mediat vendase flasin për arritjen e një marrëveshje politike mes gjashtë partive për këtë emër, megjithatë për t’u tejkaluar mbeten cështjet e bilancit dhe politikat ekonomike që do të ndjekë vendi në këtë kohë të vështirë krize.

Zgjedhjet e fundit në Belgjikë përcaktuan një ekuilibër mes dy partive të mëdha, asaj frëngjisht-folëse dhe asaj holandisht-folëse. Bisedimet për formimin e një qeverie koalicioni kanë dështuar shpesh, duke bërë që vendi të qendrojë pa qeveri për 521 ditë, një rekord më vete ky i vendosur nga Belgjika.

Situata në Belgjikë solli shqetësimin edhe të Bashkimit Europian. Vetë komisioneri belg i BE-së, Karel De Gucht paralajmëroi se vendi i tij rrezikon të përballet me një situatë të ngjashme me Greqinë nëse nuk formon sa më parë një qeveri.

Top Channel