Thirrje anti-shqiptare në Maqedoni

15/11/2011 00:00

Ndeshja miqësore ndërmjet Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë është mbyllur pa gola.

Ky është barazimi i tretë i këtyre dy kombëtarëve. Takimi është zhvilluar në një terren jo të përshatshëm për lojë, ndërsa është përcjelle nga rreth 4 mijë shikues.

Kuqezinjtë gjatë gjithë ndeshjes kanë qenë më i mirë se kundërshtari, duke krijuar në disa raste mundësi të mira shënimi. Në krahun tjetër, Maqedonia arriti të shënojë një gol në minutat e fundit të pjesë së parë, por goli i shënuar nga sulmuesi maqedonas Ilco Naumovski u anulua nga arbitri slloven, Sllavko Vincic.

“Unë jam i kënaqur nga kjo ndeshje. Në këto 4 ditët e fundit kemi luajtur dy ndeshje të mira, por për fat të keq nuk kemi pasur aspak fat. Sot merituam të fitojmë, krijuam disa raste shumë të mira. Nuk mund të mos e përmend ndeshjen kundër Azerbejxhanit ku u paraqitëm edhe më mirë. Dhe kjo është ajo që më gëzon mua si trajner. Ndeshjet e fundit dëshmojnë se futbolli shqiptarë ka të ardhme ”, theksoi trajneri i përkohshëm i Shqipërisë, Mustendanagiç.

Edhe në këtë ndeshje nuk kanë munguar fyerjet raciste. Tifozët maqedonas të vetëquajtur “Majmunë’ që nga fillimi i ndeshjes kanë lëshuar shumë thirrje anti-shqiptare.

“Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”,  “Dhoma gazi për shqiptarët”, ishin thirrjet raciste të tifozëve maqedonas.

Në stadiumin ‘Goce Dellcev’ në Prilep skuadrën Kuq e Zi e kanë përkrahur rreth 100 tifozë shqiptarë nga Shkupi dhe Tetova.

Top Channel