Ekstradimi, Assange apelon në Gjykatën e Lartë

15/11/2011 21:00

Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, do të apelojë në Gjykatën e Lartë Britanike kundër vendimit të ekstradimit të tij në Suedi, lajmëruan avokatët e të pandehurit gjatë të martës.

Më parë gjatë muajit, ai humbi betejën e tij kundër dërgimit në Suedi, ku do të përballet me dy akuza përdhunimi. Fillimisht, çështja ndaj Assange u rrëzua, por pas apelimit të autoriteteve suedeze, shkalla e dytë e ktheu vendimin në favor të tyre.

Sipas avokatëve, ekziston frika se nga Suedia, ai mund të ekstradohet në SHBA, ku mund të përballet me akuzat e spiunazhit, të cilat parashikojnë edhe dënimin me vdekjes. Ata mohojnë padinë, duke e cilësuar si politikisht të motivuar.

Gjykata e Lartë nuk merret me rigjykimin e çështjeve, por me procesin në tërësi, prandaj avokatët e Assange duhet të argumentojnë se janë bërë parregullsi gjatë gjykimit. Nëse kërkesa për apel do të merret parasysh, atëherë Assange mund të qëndrojë në Britani deri në muajin maj, kur të jepet një verdikt përfundimtar.

Top Channel