Berisha vijon vizitën në Norvegji

15/11/2011 00:00

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Norvegji, kryeministri Berisha u
prit në një audiencë nga Lartmadhëria e Tij Mbretërore, Princi i Kurorës
Haakon Magnus.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Kryeministri Berisha e falënderoi Princin e Kurorës për pritjen e përzemërt, si edhe për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO. Gjatë audiencës, Kryeministri e informoi Princin e Kurorës mbi qëllimet e vizitës në Norvegji, duke vënë theksin te bashkëpunimi bilateral, kryesisht në fushën e energjisë së rinovueshme, teknologjisë së informacionit dhe mbështetjen në programin e pyllëzimit që ka qeveria shqiptare.

Kryeministri theksoi se projekti i kaskadës së Devollit që po zbatohet nga kompania norvegjeze Statkraft, në bashkëpunim me kompaninë austriake EVN, është një tregues i qartë në këtë drejtim. Lartmadhëria e Tij Mbretërore, Princi i Kurorës Haakon Magnus i transmetoi kryeministrit përshëndetjet e Mbretit, i cili ndodhej jashtë Norvegjisë. Princi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve. Në përfundim të audiencës, Kryeministri e ftoi Mbretin e Norvegjisë si edhe Princin e Kurorës që të vizitojnë Shqipërinë, ftesë që, siaps njoftimit të zyrës së shtypit të kryeministrit, u mirëprit me kënaqësi.

Një takimi tjetër ishte ai me zëvëndës Presidentin e Parlamentit, Per-Kristian Foss. Ndër të tjera në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe procesin e integrimit europian. Kryeministri Berisha e informoi zëvëndës Presidentin e Parlamentit norvegjez, se Parlamenti shqiptar sapo kishte marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Europian. Në përfundim të takimit, zëvëndës Presidenti i Parlamentit Per-Kristian Foss e shoqëroi Kryeministrin në një vizitë në ambientet e Parlamentit dhe në sallën e seancave plenare të tij.

Top Channel