Olimpiket, 1 mijë agjentë USA në Londër

14/11/2011 18:25

Shtetet e Bashkuara janë në alarm për sigurinë e Lojrave Olimpike të vitit 2012, që do të zhvillohen në Londër.

Sipas raportimeve të “The Guardian”, Uashingtoni është gjithmonë e më i shqetësuar për mënyrën se si Britania po bëhet gati.

Për këtë arsye, bën të ditur e përditshmja britanike, administrata amerikane ka vendosur të dërgojë 1 mijë agjentë sigurie.

Komiteti Olimpik ndërkohë ka gabuar me numërimin e agjentëve që do të vendosen në 32 strukturat ku do të zhvillohen lojërat.

“The Guardian” saktëson se fillimisht Komiteti mendonte se 10 mijë agjentë do të ishin të mjaftueshëm, por tani vlerëson se numri i duhur është 21 mijë.

Rreth një javë më parë, organizatorët e evenimentit më të madh sportiv kërkuan për ruajtjen e sigurisë angazhimin e 6 mijë trupave të ushtrisë britanike.

Madje, u kërkua gatishmëria edhe e një skuadre speciale të forcave elitë SAS, që sipas planit, do të jenë të dislokuara përgjatë lumit Tamiz, për të ndërhyrë në rast sulmesh si ai i Mumbait.

Top Channel