Bilanci, 95 mijë vizitorë në panair

14/11/2011 20:05

Mbas 5 ditësh të mbushura me aktivitete, promovime librash dhe shitjesh, panairit të 14-të i erdhi fundi.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i cili ka qenë edhe një nga organizatorët, është shprehur se sipas disa informacioneve jo të plota, për shkak të mungesës së një teknike matjeje të përpiktë, 90 deri në 95 mijë vizitorë mendohet se kanë kaluar dyert e panairit për të përzgjedhur ndërmjet 600 titujve të paraqitur këtë vit.

Ai pohoi gjithashtu se nuk dihet ende numri i saktë i veprave letrare të shitura po për të njëjten arsye.

Vitin e kaluar u paraqitën rreth 2.600 tituj, ndërsa këtë herë edhe për shkak të krizës ekonomike, sipas zotit Ymeri, numri ishte pakësuar. Por sidoqoftë, shitjet kanë qenë të mira.

“Do ishte një gëzim i madh nëse do kishim një qendër që të merrej me panairin e Tiranës, por kjo do të kërkonte 5 herë më shumë fonde sesa tani”, deklaroi Ymeri.

Panairi i ardhshëm, i cili do të përkojë edhe me festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, do të zhvillohet nga data 14 deri më 18 nëntor 2012.

Top Channel