Itali, bisedime për qeverinë e re

13/11/2011 00:00

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, ka filluar një seri takimesh me figura të rëndësishme të politikës italiane, në mënyrë që të realizojë formimin e një qeverie të re teknike për të udhëhequr vendin në kohë krize.

Ekziston shpresa që kabineti i ri mund të emërohet përpara hapjes së bursave ditën e hënë. Ish-Komisioneri Europian për Konkurrencën, Mario Monti, është favoriti për t’u shndërruar në Kryeministrin e ri.

Megjithatë, pavarësisht se konsiderohet gjerësisht si kandidati i duhur për të kryer këtë detyrë, Monti parashikohet që të mos ta ketë të lehtë të kryejë zbatimin e reformave, ndaj të cilave pritet të kundërvihen shumë italianë.

Sipas sondazheve të kryera nga mediat italiane, masat shtrënguese të kursimit, të cilat kanë kaluar në senat e parlament dhe pritet të shndërrohen në ligj nuk janë aspak popullore.

Berlusconi, i cili drejtoi politikën italiane për 17 vjet, paraqiti dorëheqjen e tij të parevokueshme në orët e vona të së shtunës. Vendimi i Kryeministrit që ka shërbyer më gjatë në historinë e Italisë moderne erdhi pasi ai humbi shumicën parlamentare në një votim kyç për buxhetin.

Midis masave që planifikon të marrë qeveria e re për të risjellë borxhin e vendit në norma të pranueshme (aktualisht 120% i Prodhimit të Brendshëm Bruto), janë:

– Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH në shqip) rritet nga 20% në 21%.
– Buxheti i pagave në sektorin publik mbetet i pandryshuar deri ën vitin 2014.
– Mosha e daljes në pension për gratë do të rritet gradualisht, nga 60 që është për momentin, në 65 deri në vitin 2026, duke bërë që të barazohet dalja në pension midis të dy sekseve.
– Shtrëngohen masa për të luftuar evazionin fiskal, përfshi një ligj që do të hetojë çdo transaksion financiar më të lartë se 2 500 euro.
– Vendoset një taksë e re në sektorin energjitik.

Berluskoni: Fajin e ka Fini

Tashmë ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, fajëson ish-bashkëpunëtorin e tij në PDL, Xhanfranko Fini për rrjedhën që mori situata politike në vend.

Sipas Berluskonit, “sjellja e grupit të finianëve ishte zanafilla e një mekati që minoi rrugën e një legjislature që duhej t’i shkonte deri në fund punëve të nisura, por që fatkeqësisht ra në kurthin e një politike, që sipas tij, s’i përket Italisë”.

“Ka persona që punojnë prej disa kohësh që politika italiane t’i kthehet së shkuarës, kohës kur direktivat e partisë bënin programet qeverisëse, kur vullneti i zgjedhësve barazohej me oligarkitë partiake pa mbajtur kurrëfarë përgjegjësie”, thotë ish-kryeministri italian në një letër dërguar Francesko Storces.

Fini e Berluskoni, dikur aleatë nën të njëjtën cati, u armiqësuan pak kohë pas ardhjes në pushtet të Berluskonit. Në atë kohë Fini, bashkë me një grup “rebelësh” të PDL-së formuan partinë “Futuro e Liberta per l’Italia”. 

Top Channel