Brazil, operacion madhor kundër mafias

13/11/2011 11:15

Policia braziliane ka nisur ditën e dielë një operacion madhor për shpartallimin e grupimeve të drogës në periferinë më të rrezikshme të Rio de Zhaneiros, në Rocinja.

Trupa elitë të forcave të rendit mbështeten nga mjete të blinduara të ushtrisë dhe helikopterë që patrullojnë pa pushim lagjen famëkeqe.

”Bosi” i mafias së kësaj periferie, Antonio Francisco Bonfim Lopez, u arrestua duke u përpjekur që të largohej nga zona ditën e enjte.

Autoritetet janë duke u përpjekur që nëpërmjet aksioneve të tilla, të pastrojnë lagjet e rrezikshme dhe të përmirësojnë reputacionin e vendit, në prag të aktiviteteve madhore të Botërorit të vitit 2014 dhe Lojrave Olimpike të 2016-s.

Që prej vitit 2008 është rikthyer rendi në 20 lagje ku policia nuk kishte akses dhe që kontrolloheshin tërësisht nga bosët e drogës.

Top Channel