Sa e bukur ishte flutura e majit…..!

12/11/2011 00:00

Monika Shoshori Stafa – “Të rinjtë ëndërrojnë, pleqtë shkruajnë kujtime”. Kjo thënie e njohur e
një të urti më erdhi ndërmend mbrëmë ndërsa po kaloja nga një stendë në
tjetrin në mjediset ku zhvillohet panairi i përvitshëm i librit.

Shqipëria ka vite që rron me kujtime. Nuk ke si mendon ndryshe kur sheh në stenda pafundësi librash memoaristikë që zënë vendin e parë jo vetëm në anën sasiore, por dhe në mënyrën si e zotërojnë shtypin. Do të thotë se Shqipëria po plaket, nëse thënia e atij të urtit duhet të mirëbesohet. Dhe në mos qoftë kështu, së paku një gjë është e sigurt: ky vend ka probleme të mëdha me të shkuarën e vet, është e mbërthyer pas saj dhe nuk po del dot nga kurthi. Aq të panumërt janë librat me kujtime, sa të mbushet mendja se në këtë vend ka vetëm pasatisë, të tillë që të shohin nga e ardhmja nuk ke ku i gjen. Madje nuk gjen as të tillë që të shohin të sotmen.

Moda e kujtimeve lindi menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik, dy dekada më parë. Për çudi, të parët që nisën të shkruajnë kujtime nuk qenë ata që po iknin nga jeta publike, brezi i vjetër, por pikërisht brezi më i ri. “Dhjetori sipas meje”, “Si e përmbysëm komunizmin”, “Greva e studentëve: të pathënat”, – jo vetëm shtypi, por edhe ekranet e televizioneve dhe titujt e shtëpive botuese u identifikuan me një paradigmë të tillë.

“Shumë mirë i shkruajnë kujtimet këta djem, por shumë shpejt janë plakur”, pati shkruar një poeteshë në fillimin e viteve 1990, kur e patën pyetur se ç’mendonte për librat dokumentarë të dhjetoristëve. Dy dekada kanë kaluar, të rinjtë e atyre ngjarjeve të mëdha janë tashmë në mes të moshës, sigurisht nuk janë pleq fizikisht, por janë të njëjtët në orientimin e mendjes: ata shohin prapa dhe shesin kujtime. Shesin copëza të vërteta e të pavërteta për jetën e tyre dhe të atyre që kanë njohur.

Shkruajnë gratë për burrat e tyre si i kanë përballuar në jetë dhe ç’dinë prej të fshehtave të tyre. Shkruajnë djemtë për baballarët, shkruajnë të tjerë me porosi libra për fisin, oxhakun, mëhallën. Historikë kampesh, historikë ndërmarrjesh të shuara, histori me anëtarë të byrosë politike dhe me ministra, histori me përndjekje dhe erotikë, histori me spiunë dhe me agjentë, histori me pabesi dhe me intriga, histori me valltarë, këngëtarë, piktorë.

Gjithçka sheh nga e shkuara. Historia është bërë një robëruese e mendjes shqiptare. Njerëzit ëndërrojnë Shqipërinë europiane, por rrojnë me të mirën a të keqen e asaj që shkoi e iku. Me një fjalë, shqiptarët janë më shumë nostalgjikë se futuristë.

Dikur fjala “nostalgjik” kishte një ngarkesë të fortë kakofemike, ishte identifikim i atyre që donin ta kthenin vendin mbrapsht, në regjimin e vjetër. Mirëpo sot nostalgjikë janë edhe ata që as në gjysmë të jetës nuk kanë arritur. Të duket sikur jeta e tyre u krye në dhjetor të vitit 1990, ose në protestat e një viti më pas, në grevat e urisë dhe në sherret tipike shqiptare të vitit 1997.

Mund të imagjinohet se ç’përmbytje po ndodh në historinë e librit shqip prej memoaristikës dhe duke iu referuar vetëm një fakti: dikur, një gazetar i televizionit shtetëror që guxoi të paraqesë me figurë në stop kamera portretin e liderit të opozitës së atëhershme, që gjendej në kushte burgimi, u shkarkua menjëherë nga puna. Mund të përfytyrohet se çfarë do të kishte ndodhur po të ishte paraqitur portreti i kreut të shtetit totalitar.

Sot është ndryshe: brezit që rron me kujtime, pasi u është ezauruar bota e kujtimeve vetjake kanë gjetur një rrugë tjetër të efektshme për të mos mbetur pa pjesën e tyre të vëmendjes në publik, si brezi që rrëzoi komunizmin. Tani nuk shkruajnë kujtimet e veta, sepse i kanë shkruar e modifikuar disa herë, duke hequr emrat e armiqve e duke paravendosur emrat e të pushtetshmëve të rinj, por shkruajnë libra për Enverin, për Shehun, për Kapot, për Ballukun, për gjeneralët e likuiduar, për shkrimtarët e dënuar, për festivalet e ndaluara, për dramat e dënuara, për cilindo që ka mundësi shitjeje në publik.

Të gjithë e dinë mirë se si u parapri hapja e Panairit të Librit sivjet, si çdo vit. Të gjithë librat që iu propozuan blerësve të varfër, atyre më të varfërve, që ndoshta mezi presin të vijë nëntori i panaireve dhe të blejnë diçka më lirë, ishin të së njëjtës kategori: kujtime për …., kujtime për shkrimtarët, kujtime për njerëzit e pritur dhe përcjellë në studiot dhe redaksitë e gazetave, kujtime, vetëm kujtime; të shkuara që nuk duhet të harrohen doemos, ose duhet të rindërtohen sipas një mendësie të re. Kujtime se si u bënë zgjedhjet e fundme bashkiake, kujtime se si e kemi parë kreun e totalitarizmit në gjashtë orë filma dokumentarë; kujtime se si u qarkulluan kuadrot (shkrimtarët u internuan doemos).

Kjo ishte menyja bukinistike që ofroi bashkësia e botuesve në prag të panairit dhe në fakt, vetë panairi kështu do t’ju raportohet nëse do të keni zellin ta shihni. Librat më të shitur janë librat me kujtime: për veten, për familjen, për farefisin, për shtetin, madje edhe për kundërshtarin. Dhe me sa duket, askush nuk po e kupton se kështu po edukohet shija e të pëlqyerit të kohës së shkuar.

Në Bibël ka një thënie: “Your future is in your past” – e ardhmja juaj është në të shkuarën, në kuptimin që jeta juaj është profetizuar prej mijëra vjetësh dhe do të ndodhë ajo që është parashkruar. Mirëpo në Shqipëri po ndodh që jeta e njerëzisë të jetë si në të shkruarën jo për shkak të ndonjë profecie, por thjesht për shkakun se e shkuara mund të përdoret. Brezi i kujtimeve, që nuk dallon shumë prej brezit të fjalëkryqeve dhe brezit të picave, ashtu si miza që u mburret gjallesave duke ndenjur mbi veshin e elefantit, duke u thënë “shihni sa e lartë jam”, është ende një brez që shitet përmes emrave dhe bazuar në standardet e vlerësimit të një kritike “alla critica della ragion pura”. Dhe ndërkaq librat e rëndësishëm, ata libra që mund të ndryshojnë mendësinë shqiptare, librat që plotësojnë shkencën shqiptare, qëndrojnë të harruar në cepa stendash të varfra që nuk u afrohet askush. Thua se janë dënuar. Librat me kujtime për burrat, gratë, ministrat, udhëheqësit, ashtu si çdo modë, e kanë jetën jo më të gjatë se sezoni i mizave, dhe tek e fundit ky është vërtet një sezon për ta merituar, pavarësisht se vetëm dy javë, sepse pasi njeriu do t’i ketë futur në shtëpi, do t’ua falë të tjerëve dhe do të quhen të padobishëm.

Në ekranet shqiptare ka pasur një spot publicitar për “kënaqësinë momentale”, një spot që inkurajonte marrjen e përnjëhershme të suksesit. Si të thuash, si në fjalën e urtë latine, “carpe diem”. Ky spot ka pasur dhe interpretimin e vet humoristik, që e mbitheksonte lavdinë e suksesit të momentit. Por me librin me kujtime as një kënaqësi e tillë parodike nuk ka gjasa të përjetohet. Sepse ashtu si vijnë me bujë, ashtu libra të tillë harrohen me përbuzje.

Sa u takon të tjerave vlera, ato besoj se as autorët vetë nuk i kanë menduar. Njerëzit do të vazhdojnë të blejnë si përherë në bordurat e trotuareve dhe shumë-shumë do t’ua kërkojnë një natë borxh miqve të tyre librat me kujtime, sa për të shuar kureshtjen, sepse dhe vetë kureshtja nuk ka jetë të gjatë. Fama e këtyre librave zgjat aq sa sezoni i bezdisshëm i mizave. Hë për hë, sa të shuajnë kureshtjen, njerëzit qëndrojnë të mbërthyer para ekraneve, dëgjojnë me vëmendjen se ç’është shkruar për njerëzit publikë, derisa të marrin vrasësen e mizave për të larguar bezdinë. Pastaj sezoni mbaron, panairi mbyllet, refuzimi kryhet, suksesi harrohet dhe njeriu u kthehet atyre librave të harruar në stenda të varfra vetëm për një shkak: sepse janë të rëndësishëm, fjala vjen Ecco-s, Malaparte-s, apo etjes për t’iu kthyer Rilkes, Balzaku-t, Tolstoit, Floberit, e pafund klasikëve të tjerë dhe në fund themi, Sa e bukur ishte flutura e majit, por u harrua shpejt……

Gazeta “Shqip”

Top Channel