Arvizu në panairin e librit

12/11/2011 20:20

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu vizitoi panairin e 14-të të librit në Tiranë.

Ai u ndal tek stenda e shtëpisë botuese “Onufri”, e cila përvec veprave të Ismail Kadaresë ka botuar edhe vëllimin “Kohë e Pamjaftueshme”, të bashkëshortes së tij Helena.

Libri flet për jetën e autorit dhe fituesit të cmimit prestigjoz “Princi i Asturias”. Zonja Kadare, e cila ndodhej aty në momentet e vizitës, firmosi edhe një kopje të dedikuar për zotin Arvizu.

Ndërkaq, më pas ambasadori iu afrua botimeve “Mapo”, ku politikani shkrimtar Ben Blushi po promovonte librin e tij më të ri me titull “Shqipëria”.

Diplomati u shpreh se ka dëgjuar shumë për librin dhe se të gjithë në ambasadë janë interesuar për të.

Më pas ai mori si dhuratë një kopje të firmosur nga autori Blushi, i cili në dedikim shkroi se libri qe nga një mik për ambasadorin Arvizu.

Një tjetër stendë për të cilën përfaqësuesi amerikan në Tiranë tregoi interes ishte ajo e botimeve “Dudaj”, ku Arvizu mori edhe “Kurbanin” e Ramës.

Kreu i Partisë Socialiste do të jetë sërish i pranishëm për të firmosur librin e tij pasditen e së dielës në ora 17.00.

Top Channel