Egjipt, sulmohet gazsjellësi i lidhur me Izraelin

10/11/2011 17:35

Persona të paidentifikuar hodhën në erë një pjesë të gazsjellësit që kalon përmes Egjiptit, Izraelit dhe Jordanisë. Shpërthimi ndodhi në zonën e Sinait Verior në Egjipt dhe u krye përmes bombave të shpërthyera në distancë.

Autoritetet egjiptiane bënë me dije se shpërthimi ka dëmtuar rëndë gazsjellësin gjë që bëri të detyrueshëm mbylljen e tij.

Mësohet se sulmi është bërë nga persona që nuk duhet të kenë shumë simpati ndaj Izraelit, pasi sabotatorët kishin lënë mesazhe në rërë që e vërtetonin këtë.  Agjensia e lajmeve Reuters, një prej të parave në vendngjarje, ka filmuar këto mesazhe të cilat shkruajnë:  ‘Ne nuk do të lejojmë eksportin e gazit në Izrael.’

Sulmi nuk është marrë përsipër nga asnjë organizatë e njohur militante, por në Egjipt nuk është e vështirë të gjesh armiq të Izraelit. Por kjo s’është hipoteza e vetme, pasi hetuesit egjiptianë thonë se mund të bëhet fjalë edhe për armiqësi biznesi që mbulohet me pretekstin e urrejtjes etnike.

Top Channel