SHBA-Bolivi riparojnë marrëdhëniet

08/11/2011 08:45

Bolivia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për të rekuperuar tërësisht lidhjet diplomatike, tre vjet pasi ambasadori amerikan në La Paz u dëbua nga presidenti Evo Morales.

Në një marrëveshje të nënshkruar në Uashington, dy vendet u angazhuan mes të tjerash për të luftuar bashkarisht trafikun e drogës.

Presidenti Morales dëboi agjentët amerikanë të anti-drogës dhe më pas ambasadorin Philip Golderbg në vitin 2008, pas akuzave për komplot kundër qeverisë.

Por marrëdhëniet janë përmirësuar dhe vitin e kaluar filluan bisedimet për t’i riinstaluar ato.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Jashtme boliviane, marrëveshja parashikon kthimin e shpejtë të ambasadorëve përkatës në Uashington dhe La Paz.

“Objektivat e marrëveshjes përfshijnë përforcimin dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe rritjen e bashkëpunimit kundër prodhimit dhe trafikimit të drogave ilegale”, thuhet në deklaratë.

Por dokumenti në fjalë nuk saktëson se kur agjentët amerikanë do të kthehen në Bolivi, që është dhe vendi i tretë në botë për prodhimin e kokainës.

Në vitin 2008, Morales, një kritik i politikave të Uashingtonit në Amerikën Latine, akuzoi zotin Goldberg se nxiti politikanët në lindje të vendit të kërkonin autonominë e kësaj zone.

Presidenti bolivian, që drejton edhe sindikatën e kultivuesve të kokainës në vend, dëboi agjentët amerikanë dy muaj më vonë. Si përgjigje ndaj kësaj, SHBA kthyen mbrapsht ambasadorin bolivian.

Top Channel