Naço: Digat nën kontroll

08/11/2011 00:00

Të gjithë e mbajmë mend katastrofën që u shkaktua nga përmbytjet për dy vjet me radhë në Ultësirën e Shkodrës.
Asnjë hetim nuk u zhvillua për të treguar se përse ndodhi kjo, por
opozita akuzoi ish-ministrat e Ekonomisë, Prifti e Meta, për keqmenaxhim
të rezervave ujore në hidrocentralet e Drinit.

Në prag të dimrit, ministri pasues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në krye të Ekonomisë, Nasip Naco ka dhënë garanci se sivjet nuk do te kete permbytje si pasoje e keqmenaxhimit të digave.

“Nëse ruajmë rregulloren me fanatizëm jemi mëse të bindur se përmbytje për shkak të kaskadës së Drinit nuk do të ketë asnjëherë. Fatkeqësi natyrore ka; asnjëherë shkodranët nuk kanë për të marrë varkat për shkak të keqmenaxhimit”, tha Naco.

Deputetet e opozites kane bere nje sere pyetjesh ne drejtim te ministrit te Ekonomise, ku ka patur edhe akuza per menaxhimin e situtave ne vitet e kaluara. Ben Blushi, akuzoi se, permbytjet e kaluara i shkaktoi pikerisht gabimi njerezor. Per Blushin u lane kuotat maksimale enkas per te shitur energjine elektrike.

“Nga informacionet që kam se nga eksporti i energjisë janë përfituar gati 80-90 milionë euro. Dhe kështu për të mbushur gropat që ka shkaktuar buxheti detyrojnë qeverinë për të mbajtur kuota të larta, të shesin energji”, tha Blushi.

Ndërsa Naco ftoi deputetët që të ngrenë një komision hetimor për të parë nëse është zbatuar rregullorja dhe janë respektuar kuotat.

Ministri i Ekonomisë nuk e mohoi ne asnje rast gjate seances per ndonje katastrofe natyrore te mundshme.

Top Channel