Beqja: Qeveria mashtron me buxhetin

08/11/2011 00:00

Opozita akuzon kryeministrin, se po mashtron publikisht kur thotë se
buxheti i vitit 2012 do të jetë më i madhi në historinë e vendit. Ilir
Beqja thotë se financat e vendit po përkeqësohen dhe për këtë i
referohet shifrave të tyre në vite.

“Edhe të ardhurat, edhe shpenzimet janë më të vogla se buxheti i vitit 2010 dhe buxhetit 2011. Shpenzimet e parashikuara ne vitin 2012 janë 3.5 përqind më të ulëta se viti 2011 dhe 3.8 përqind më të ulëta se viti 2010”, tha Beqja.

Zoti Beqja thotë se financat po shthuren për një sërë arsyesh, të cilat opozita i kishte paralajmëruar dy vjet më parë.

“Ne kemi një problem me modelin ekonomik të zhvillimit të Shqipërisë. Kemi shpërdorim të financave publike në funksion të qëllimeve elektorale të Partisë Demokratike dhe po ashtu kemi edhe një vijim qoftë të mospranimit të krizës nga qeveria për të reflektuar dhe mesa duket pazotësi totale në parashikueshmërinë e zhvillimeve makro-ekonomike që lidhet me shkatërrimin që i është bërë administratës publike”, tha Beqja.

Për tre vite me radhë buxheti është rishikuar me ulje, cka ka bërë që qeveria të dalë nga parashikimet afatmesme për ekonominë. Por cfarë pasojash ka kjo për qytetarët?

“Do të thotë që të mund të japësh në ekonomi më pak mundësi për investime, për mbrojtje sociale, për arsim, për shëndetësi. Nga ana tjetër kjo do të thotë se ekonomia është më keq se dy vjet më parë, ose më mirë po vijmë në momentin që po pranojmë që ekonomia është më keq jo direkt, por ndoshta me një justifikim nëpërmjet shifrave buxhetore”, tha Beqja.

Zoti Beqja thotë se edhe tentativat e kryeministrit për të mashtruar me borxhin publik janë një tregues tjetër që dëshmojnë se ekonomia po përkeqësohet.

Top Channel