Në tryezën e presidentit Papulias duket se do të shkruhet epilogu i  udhëkryqit politik në Greqi që ka arritur kulmin në orët e fundit.

Pas një mbledhje të kabinetit qeveritar, kryeministri Papandreu ka pranuar që së bashku me kryetarin e opozitës, Andonis Samaras të takojnë, presidentin grek dhe në këtë mënyrë të bëhet i mundur fillimi i bisedimeve për një qeveri të re të unitetit kombëtar.

“Kjo qeveri duhet t’ia japë stafetën një tjetre me bazë të gjërë, në të cilën nuk mund të jem kryeministër dhe do të ishte mirë që kjo të ndodhte sa më shpejt, akoma edhe sot”, ka thënë Papandreu.

Deklarata e Papandreut u hap rrugën e plotë konservatorëve të hyjnë me kushtet që kishin kërkuar, në projektimin e qeverisë së re, ashtu sic kishte theksuar në mesditën e së dielës udhëheqësi i Demokracisë së Re Andonis Samaras në takimin me presidentin grek.

Ministra të kabinetit qeveritar kanë thënë se Papandreu ka vënë dorëheqjen e tij në dispozicion të popullit grek dhe nëse udhëheqësi i opozitës edhe në këtë rast nuk pranon, kryeministri i rradhës do të jetë udhëheqësi i një shteti me monedhë dhrahminë.

Nëse cdo gjë shkon në kahun pozitiv në takimin e tre udhëheqësve greke Papulias, Papandreu dhe Samaras, pritet në orët e ardhshme që Kryeministri dhe qeveria e tij të japin dorëheqjen.

Për sa i përket politikanit që do të bien dakord dy partitë të e mëdha për të qënë në krye të qeverisë së re, në tryezë janë hedhur shumë emra nga të dy partitë me atë të zv/kryeministrit Evangjelos Venizellos të jetë me Ilakuari, ndërsa nuk përjashtohet që të mbajë edhe postin e Ministrit të Financave.

Qeveria e re e unitetit kombëtar, që do të jetë e dyta pas 20 vitesh në Greqi, do të ketë një axhendë tepër të ngjeshur dhe serioze, midis të tjerash lëvrimin e këstit të gjashtë dhe ratifikimin e marrëveshjes së ndihmës së BE, në mënyrë që Greqia të mos falimentojë dhe të mos gjendet jashtë Eurozonës.

Presioni i madh i partnerëve europiane është shprehur plotësisht në një deklaratë të fundit të Komisionerit për Ekonominë, Olli Rehn, i cili paralajmëron socialistët dhe konservatorët grekë se nëse nuk do të krijojnë qeverite unitetit kombetar deri të dielën në mbrëmje, Greqia do të përshëndesë euron.  

Top Channel