Siguria e lojrave olimpike në Londër

05/11/2011 20:25

Zyrtarët e Lojrave Olimpike të Londrës në 2012-ën kanë kërkuar 6 mijë trupa të ushtrisë britanike që të përforcojnë masat e sigurisë në ngjarjen më të madhe sportive në botë.

Kjo kërkesë bëhet pas rivlerësimit të masave të sigurisë nga ana e qeverisë dhe shtimit të shqetësimeve për kërcënimin nga terrorizmi.

Komiteti organizator olimpik ka kontraktuar një firmë private sigurie për 10 mijë roje në ambjentet olimpike, por pas vlerësimit të fundit numri i nevojitur mund të shkojë deri në 20 mijë.

Pikëpyetje mbetet se cfarë uniforme do të mbajnë personeli ushtarak dhe si do të bashkëpunohet me rojet private.

Ushtria ndërkohë pritet të bëjë kontrollin e cantave dhe sigurinë nëpër hyrjet e stadiumeve, të ngjashme me kontrollet që bëhen nëpër aeroporte.

Kur kanë mbetur nëntë muaj nga fillimi i Lojrave Olimpike, zyrtarët e shërbimit sekret britanik MI5 e kanë bërë të qartë se parandalimi i një sulmi terrorist gjatë evenimentit është prova më e rëndësishme që ky shërbim ka që nga koha e sulmeve terroriste në kryeqytet në 2005-ën.

Buxheti i sigurisë ka shumë mundësi që të kalojë 1.1 miliardë stërlinat. Kjo shifër nuk përfshin buxhetin e kundër-terrorizimit.

Ndërkohë, trupat speciale SAS thuhet se do të jenë në gatishmëri të lartë në rast sulmesh si ato në Mumbai të Indisë dhe do të jenë të dislokuara në anije përgjatë lumit Tamiz, të gatshme për të ndërhyrë brenda pak minutash.

Top Channel