Itali, vdes nëna shqiptare dhe dy vajzat

04/11/2011 17:55

Qyteti i Xhenovës, në Itali, është përfshirë nga përmbytje masive, të cilat kanë shkaktuar të paktën gjashtë të vdekur.

Mes viktimave raportohet të jetë edhe një grua shqiptare e identifikuar si Shpresa Djala, 28 vjec, dhe dy vajzat e saja, përkatësisht 1 dhe 10 vjec.

Sipas autoriteteve lokale, trupat e pesë viktimave janë rekuperuar, ndërsa ai i viktimës së gjashtë, që është një fëmijë, po kërkohet ende.

Sipas burimeve, është konfirmuar se pesë nga viktimat kanë humbur jetën për shkak se u futën në korridorin e një ndërtese.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë treguar se personat në fjalë, mes të cilëve dy fëmijë, u futën në korridor për t’u mbrojtur nga shiu i rrëmbyeshëm, ndërkohë që hapësira u mbulua nga uji që vërshoi papritur.

Mësohet se ata nuk patën kohë për të arritur shkallët dhe për të dalë nga korridori i ndërtesës, por u përfshinë nga vala e ujit të rrëmbyeshëm.

Ndërkohë, në një zonë tjetër të qytetit, autoritetet policore kanë urdhëruar banorët që ndodheshin rrugëve që të strehohen në vende të sigurta.

Kjo, pasi shumë shpejt pritet një valë e re uji, që nga forca pritet të marrë me vete cdo gjë që do t’i dalë përpara.

Ndërkohë, shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile ka organizuar një mbledhje emergjente për të marrë masa mbrojtëse ndaj përmbytjeve të tjera që pritet të ndodhin për shkak të motit të keq që ka goditur në vecanti rajonin e Ligurias.

Top Channel