Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanovic ka deklaruar se zgjidhja për situatën në veri është pranë, por jo optimalja.

Duke folur në këshillin për Kosovën të Parlamentit serb, Stefanovic ka paralajmëruar se zgjidhja nuk do të pëlqehet nga disa faktorë.

“Zgjidhja është pranë, por ajo nuk do të jetë idealja. Duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme për Serbinë dhe serbët e Kosovës”, ka pohuar Stefanovic.

Negociatori serb ka nënvizuar se shpreson që dialogu me Prishtinën të rifillojë së shpejti, pasi sipas tij është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet.

“Jetojmë në një botë ku forca luan një rol të rëndësishëm. Dhe ne, në këto rrethana, duhet të gjejmë zgjidhje më të mira”, ka shtuar Stefanovic.

Më herët Stefanovic zhvilloi një takim me ministrin britanik për Cështjet Evropiane, David Lidington, i cili i bëri të qartë se kthimi i Serbisë në tryezën e bisedimeve është jetik.

Kthimi në dialog është një kusht që edhe vende të tjera të BE-së i kanë vënë Serbisë për të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Ndërsa KFOR-i bëri të qartë se, nëse problemi në veri nuk zgjidhet me anë të dialogut, atëherë do të veprojë sipas rrethanave në terren.

Kosova: SHBA dhe BE, presion Serbisë

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga SHBA dhe BE, që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e para të dialogut.

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuci ka deklaruar se presioni ndaj Serbisë është i nevojshëm që ajo të jetë më e përgjegjshme dhe që të sqarojë përse nuk po zbaton paktet e arritura.

“Institucionet kosovare janë të gatshme për dialog dhe mendojnë se dialogu është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet mes dy shteteve”, ka pohuar Kuci.

Numri dy i ekzekutivit ka nënvizuar gjithashtu se nga ana e saj, Prishtina zyrtare i ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet e arritura.

Ndër të tjera, në mbledhjen e së martës, qeveria e Kosovës ka shqyrtuar disa projektligje, ndërkohë që ministri i FSK-së, Agim Ceku ka njoftuar mbajtjen e një samiti mes ministrave të Mbrojtjes të rajonit më 5 nëntor në Pejë. 

Top Channel