Vallëzim mbi kraterin e një vullkani. Kështu e kanë cilësuar mediat ndërkombëtare vendimin e Papandreut për një referendum popullor për miratimin ose rrëzimin e masave anti-krizë, që mund të mbahet në fillim të muajit dhjetor.

Një javë më parë, thotë BBC, Papandreu e quajti marrëveshjen e arritur në Bruksel mes lidërve të G20 si nisjen e një dite të re për Europën, për eurozonën dhe për vetë Greqinë. Sipas kësaj marrëveshje të arritur, Greqisë i falet gjysma e borxhit në këmbim të zbatimit të masave strikte në ekonomi dhe në financa si dhe i jepej një tjetër hua prej 100 miliard eurosh, e domosdoshme që Athina të mos shkojë drejt falimentit.

Por vendimi i Papandreut për referendum ishte si një rrufe në qiell të hapur për liderët europianë, që i tremben një përgjigje negative nga ana e popullit grek.

Por cfarë do të sillte një “jo” e madhe e grekëve ndaj masave shtrënguese dhe marrëveshjes së Brukselit? E para që do të pasonte është falimenti i Greqisë, e me shumë mundësi edhe dalja e saj nga eurozona.

Nëse referendumi do të mbahej, ky është skenari më i mundshëm. Sondazhet e para thonë se në masë të madhe grekët janë kundër marrëveshjes së Brukselit dhe kundër masave anti-krizë të qeverisë së Papandreut.

Kësaj i shtohen edhe zërat kundër kryeministrit grek nga vetë partia e tij, PASOK, zëra që janë gjithnjë e më të shumtë. Vendi, përvec krizës ekonomike, tashmë përballet edhe me një krizë politike. Pikërisht për këtë kanë apeluar edhe liderët europianë, që mes partive në Athinë të ketë një gjuhë mirëkuptimi për reformat e nevojshme për shmangien e falimentimit të vendit.

Por se sa e mundur është që kjo të arrihet para mbajtjes së referendumit, koha do ta tregojë, megjithëse duket e një mision i vështirë, pasi situata politike në vend nuk është aspak optimiste. Opozita prej muajsh kërkon dorëheqjen e Papandreut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme.

Lambrinidhis: Grekët do votojnë “po”

Ministri i Jashtëm grek, Stavor Lambrinidhis shprehu besimin se grekët në referendumin që pritet të mbahet brenda pak javësh, do t’i thonë “po” masave për daljen e vendit nga borxhi i thellë dhe marrëveshjes së Brukselit.

Gjatë një intervistë dhënë për televizionin amerikan, CNN, Lambrinidhis tha se kishte besim të plotë tek bashkëkombasit e tij për një votë pro masave dhe theksoi se Greqia kishte njoftuar edhe liderët europianë për mbajtjen e referendumit.

“Unë pres dhe besoj se grekët do të votojnë pro. Të gjithë jemi të lodhur nga mëdyshjet tona. Kryeministri sqaroi qartë të gjithë liderët europianë se kishte ndërmend të thërriste një referendum, dhe mendoj se në këtë aspekt nuk ka asgjë për t’u cuditur”, tha Lambrinidhis.

Top Channel