Zyrtarët e qeverisë së Kosovës edhe publikisht tregojnë pafuqinë e tyre krahas Serbisë. Mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet dy palëve persa i pëket lëvizës së lirë për zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi tregon tashmë ‘topi’ është te Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai thotë se, këto të fundit duhet ta shtojne presionin ndaj Serbisë sa i përket dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në mënyrë që ato të nisin së zbatuari.
 
 “Republika e Kosovës i ka kryer të gjitha obligimet e veta që i ka marrë në procesin e dialogut. Në këtë drejtim kemi filluar dhe kemi marrë gatishmëri për implementim pikë për pikë të gjithë asaj që kemi dhënë edhe garancia dhe tani mendoj që mbetet në duart e BE-së dhe SHBA-ve që të shohin mënyrën se si i zbaton Serbia marrëveshjet ku garantë janë ata. Edhe në situata të pazgjidhshme ne mendojmë prapë që dialogu është rruga më e mirë. Por kësaj radhe mendoj që “topi” është në duart e BE-së dhe SHBA-ve, që ta rrisin presionin mbi Serbinë dhe eventualisht zbatimi apo moszbatimi i marrëveshjeve të matet me rrugëtimin e tyre në BE dhe integrimet tjera”, deklaroi Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
 
Sipas z. Kuçi, Kosova asnjëherë nuk do të jetë e njëanshme në kuptimin e marrjes së vendimeve pa konsultim me faktorin ndërkombëtar, por njëkohësisht nuk do të jetë një faktor, i cili do të jetë pengesë për zhvillimin e dialogut.
 
Bazuar në pohimet e kryenegociatorës kosovare znj. Edita Tahiri nga marrëveshjet e arritura muaj më parë me 1 nëntor të gjitha automjetet me KS do të mund të qarkullonin në territorin e Serbisë. Megjithatë një gjë e tillë së paku kur po kalojnë dy ditë nga parashikimet ende nuk po ndodh.

Dialogu Kosovë-Serbi për çështje teknike është ndërprerë si pasoj e zhvillimeve në veri të Kosovës me ç’rast pala serbe ka kërkuar që në kuadër të këtij dialogu të diskutohet lidhur me pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.

Top Channel