Serbi nga Kosova, Ratomir Bozhovic, i cili dyshohet për vrasjen e pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, ka mohuar përfshirjen e tij në këtë krim.

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Vecernje Novotsi”, Bozhovic ka deklaruar se i është dashur të fshihet për hir të sigurisë së familjes së tij.

“Nuk kam asnjë lidhje me vdekjen e Zymberit, por më duhet të strehohem për faktin se unë dhe familja ime jemi në shënjestër. Ka filluar sërish sezoni i gjuetisë mbi serbët dhe unë duhet të jem një prej trofeve”, ka thënë Bozhovic.

Me kërkesë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bozhovic dhe pesë serbë të tjerë, Dushan Jovanovic, Radomir Kasallovic, Radovan Radic, Millovan Vlaskovic dhe Sllobodan Vucinic, janë shpallur në kërkim nga Interpoli për vrasjen e agjentit Zymberi.

Bozhovic nuk e ka mohuar faktin se ka organizuar serbët nëpër barrikada, por ka thënë se përballja me makinat e forcave speciale kosovare ka ndodhur ndryshe nga përshkrimet që i janë paraqitur opinionit publik.

Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrisë, u vra më 25 korrik në një përballje me një grup serbësh të armatosur në veri, gjatë operacionit të forcave speciale për të rimarrë kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Burime nga prokuroria e qarkut të Mitrovicës deklaruan pak ditë më parë se serbët e dyshuar dyshohen se fshihen të gjithë në Serbi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA