Libi, trupat qeveritare terrorizojnë qytetin

31/10/2011 15:25

Grupe të armatosura të ushtrisë qeveritare në Libi janë duke “terrorizuar” banorët e shpërngulur të Tavargës, qytet që i mbeti deri në fund besnik Muammar Gaddafit, informuan grupet e të drejtave të njeriut gjatë të hënës.

Si rrjedhojë e raprezaljeve, i gjithë qyteti prej 30 mijë banorësh është shkretuar, ndërsa lagjeve të tëra u është vënë flaka pas largimeve, në mënyrë që banorët të mos kenë mundësi të rikthehen. Ata vazhdojnë të përndiqen edhe në kampet e përkohshme ku janë sistemuar, ndërsa zona të tjera në qytetin fantazmë janë plaçkitur.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, i cili operon si një qeveri e përkohshme në Libi, ka paralajmëruar forcat e tij me dënime të ashpra nëse hetimet e mëvonshme do të tregojnë se janë përfshirë në veprime agresive pas përfundimit të luftës, por duket se thirrja nuk ka gjetur shumë përkrahje.

Megjithatë, pavarësisht se raportimet për plaçkitje, terrorizime dhe vrasje mbështeten edhe nga prestigjiozja “Human Rights Watch”, autoritetet zyrtare i mohojnë këto zhvillime. “Vendi është duke jetuar në harmoni të plotë dhe nëse ka patur veprime të jashtëligjshme, do të jetë një hetim dhe të gjithë do të dënohen”, u shpreh zëvendësministri i Mbrojtjes, Favzi Abu Katif.

Tavarga është një qytet pranë Misratës, qyteti i madh me 300 mijë banorë që u shndërrua në simbol të qëndresës kundër Gaddafit, kur mundi t’i rezistonte një rrethimi dhe bombardimi konstant disa-mujor gjatë luftës civile.

Top Channel