Gazetari, opinionisti dhe publicisti Blendi Fevziu prezantoi në emisionin e “Pasdites” në “Top Channel”, librin e tij dedikuar jetës së Enver Hoxhës. Një “jetëshkrim mbi diktarorin, të cilin në këtë libër e shohim ashtu siç nuk e kemi parë më parë”, përkufizon Fevziu librin e tij. “Vitin e ardhshëm do të jetë 100 vjetori i pavarësisë. Nga këto 100 vjet, pothuajse gjysmat, 41 janë kaluar nën drejtimin e Enver Hoxhës, prandaj duam apo jo, është pa dyshim figura kryesore e Shqipërisë së pavarur”, shprehet Fevziu.
Siç shpjegon ai, biografia e Enverit vjen për publikun pasi figura e tij nuk është vlerësuar asnjëherë në të gjithë dimensionet. “Mendoj se me Hoxhën ka ndodhur një fenomen shtrembërimi në të gjitha periudhat. Kur ishte gjallë, ai është vlerësuar gjithmonë në mënyrë madhështore, ndërsa pas vdekjes, shumë komente e kanë portretizuar si një njeri të paaftë, gati gati injorant. Sot për këtë figurë të shtetit shqiptar duhet të kishim me dhjetëra studime, raporti i tij me zhvillimin ekonomik, politika e jashtme, detaje të tjera, stili i jetës. Pothuajse s’kemi bërë asgjë nga këto. Libri im tenton të tregojë periudhën se si ai konsolidoi dhe ndërtoi pushtetin e tij. Në të i kam kushtuar rëndësi mënyrës se si janë ndërthurren raportet me kundershtaret. Enveri pa dyshim që ka qenë një njeri gjakatar dhe ka qenë i rrethuar nga të tjerë gjakatarë. Mbase ishte sistemi që të çonte drejt gjakësisë, por për Shqipërinë kjo ishte përcaktuar që në fillim, kur vendosën të na linin në bllokun lindor dhe jo atë perëndimor”.
Duke u ndalur tek vlerësimi i tij për Hoxhën, Fevziu shton: “Është e jashtëzakonshme mënyra se si ka qëndruar në pushtet aq gjatë. Ai ishte mbase tirani më i egër i vendeve lindore, edhe sepse në vendet e tjera komuniste, u ndërruan gjithmonë 3-4 drejtues, ndërsa Shqipëria u drejtua nga Hoxha deri në shtratin e tij të vdekjes. Ai vendosi në vend një sistem që sot mund të krahasohet vetëm me Korenë e Veriut. Megjithatë, Enveri është një figurë komplekse. Ai nuk ka qenë as i pazoti, asnjëherë s’ka qenë budalla dhe s’ka qenë injorant, siç portretizohet shpesh. Për mua, ai ishte një njeri me aftësi dhe talent të jashtëzakonshëm për të dominuar pushtetin. Kishte një intuite perfekte, dinte t’i rezistonte kushteve te vështira për pushtetin e tij, si në kohën e përplasjes me Krushovin, balancoi pushtetin dhe gati gati ktheu njerezit në vasalë dhe admirues të bindur… Ju garantoi që klika që e rrethonte nuk e pranonte sepse ishte më i forti ose hakmarrësi, por sepse ai iu imponua njerëzve”.
Duke u ndalur tek jeta personale e diktatorit, Fevziu hedh dritë për “një njeri që ka jetuar 41 vjet i izoluar, i mbyllur nga roje dhe i rrethuar nga pak njerëz. Përfshi antarët e partisë ndaloheshin të takoheshin me të. Dhe ata që jetonin në bllok, nuk mund të kalonin përpara banesës së tij. Atje ku sot kanë mbirë pallatet, në bllok, ka qenë një park me pisha ku Enveri shëtiste përditë përgjithësisht në vetmi. Pa dyshim, në mënyrën se si ai udhëhoqi ndikon edhe shoqëria shqiptare e pazhvilluar, por nuk është arsyeja kryesore pasi dhe shumë kombe të mëdha janë kapur në moment të caktuara në ngërçin e diktatorëve të pushtetshëm, si rasti i Hitlerit dhe shumë të tjerë. Është e qartë që Hoxha diti të përfitonte në mënyrë perfekte nga përçarjet midis bllokut të superfuqive. Ai ishte një lloj gjeniu, ose më mirë demoni, i cili diti të shfrytëzonte shumë rrethana për të konsoliduar vazhdimisht pushtetin e tij”.
Në intervistat e nuses së djalit të Enverit, Liliana Hoxhës, flitet për një njeri që ka jetuar në mënyrë shumë modeste, version që përkon edhe me atë të librit. “Është gabim që jetesa të llogaritet me kushtet e sotme, por nga ana tjetër, diktatorët e lindjes ishin një tjetër model diktatori, njerëz idealist, që nuk u vunë pas pasurisë apo sigurimit të pushtetit për fëmijët e tyre. Në këtë pikëpamje, nuk kanë asgjë të përbashkët me njerëz si Gaddafi, me diktaroët arabë, afrikanë, aziatikë apo latinë. Më ka bërë përshtypje që në shtëpinë e tij, ku në pjesën e sipërme gjërat kanë mbetur njësoj si atëherë, kanë mbetur ende tapetet e kohës, të prodhura nga linja e supermerketeve më të lirë italiane. Ju garantoj që tapetet që bënte me dorë Kruja apo Kukësi ishin shumë më të mirë, por mbase ky mall vlerësohej pasi vinte nga jashtë. Megjithatë, ishte një epokë ku njerëzit jetonin me shumë kufizime. Pa makina, pa televizor, me një kilogram mish… Kuptohet, ata këto privilegje i kishin, por nuk do t’I quaja lukse të mirëfillta”.
Libri ndalet në figura të tjera komplekse dhe në raportet e tyre me Enverin. “Mehmet Shehu, një njeri me shumë pushtet për tre dekada, u çmotua në tre muaj dhe vuante çdo 24 orë se përse Enveri s’po i fliste, i foli mire ose keq. Sot është e vështirë të kuptosh këtë, por elementë të tillë flasin edhe për pushtetin psikologjik që krijonte Enveri. Nexhmia, pastaj është një figurë negative, por jo me aq ndikim saç përflitet. Figuron një letër, dhe këtë e them për herë të parë, e vitit 1943, që Enveri i nis një militant të quajtur Anastas Plasari. Ai dëshironte të hapte një lëvizje socialdemokrate dhe Enveri i shkruan hajde të flasim, ta zgjidhim si miq, në të njëjtën kohë që Gogo Nushit dhe Nako Spiros i thotë ta vrasin rrugës. Të dy ngurojnë dhe hiqen sikur se kishin kuptuar mirë, që Hoxha ta vriste vetë nëse donte. Në atë moment, Nexhmia, 21 vjeç, del dhe thotë që ta vrisnin pa bërë dy. Më vonë ai shpëtoi me burg, por imagjinoni një 21-vjeçare që flet në këtë mënyrë mizore. Megjithatë, deri në 1973, nuk ka patur një rol të madh. Ka patur një ndikim nevrastenik dhe një raport të vështirë me të gjithë njerëzit rrotull, ndryshe nga Enveri, që dinte të shfaqej edhe me përzemërsi. Në 1975-85 është roli kryesor i saj, kur kujdeset për librat biografikë, por pas vdekjes e ekzagjeron aq shumë me qëndisjen e figurës së Enverit dhe ndërtimin e adhurimit për të, sa merr efektin e kundërt, duke e shndërruar Hoxhën gati gati në një karikaturë. Për mua mbetet figurë negative dhe injorante”.
Fevziu mbylli bashkëbisedimin e tij në “Pasdite” me një mesazh. “E shkuara nuk harrohet duke bërë sikur s’ka ekzistuar. Ne duhet të vazhdojmë përpara duke e parë në sy atë, duke kuptuar gabimet që s’duhet t’I bëjmë më. Prandaj dhe figura e Enverit duhet të njihet, të vlerësohet si duhet, sepse në 41 vjet, ai ka vendosur për fatin tonë të tanishëm më shumë se kushdo”.
Top Channel