Kontrolli, zbulohen trukimet në gjykata

30/10/2011 10:40

Grupi i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë, pas një kontrolli të paparalajmëruar ndaj 12 gjykatave në të gjithë Shqipërinë, ka zbuluar se ekziston një trukim në masë i shorteve për gjyqtarët që përzgjidhen në drejtimin e gjyqeve.

Pas ankimeve të dhjetëra qytetarëve, ishte ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ai që u bë dhe nismëtari i kontrollit, duke përfshirë edhe informaticienë. Kontrollet zbuluan sesi kancelarët e gjykatave, në bashkëpunim me punonjës të tjerë të administratës dhe me vetë kryetarin e gjykatës, paracaktonin gjyqtarët e çështjeve, duke hequr nga lista gjyqtarët “e padëshiruar” dhe duke kryer shortin vetëm me listën e zgjedhur nga ata.

Ministria tha se nga kontrolli i ushtruar është vënë re se gjyqtarët “e rreptë” kanë pasur më pak çështje se gjyqtarët më liberalë, raportoi e përditshmja “Shqip”.|

Përveç manipulimeve në kompjuter, u zbulua se në rastet kur ai nuk punonte, shorti hidhej me gogla dhe përsëri, aty viheshin vetë emrat e gjyqtarëve “të preferuar”.
Ministria e Drejtësisë tha se raporti i kontrollit të 12 gjykatave do t’i vihet në dispozicion Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka të gjithë tagrin ligjor për të propozuar masa për kancelarët dhe gjyqtarët konkretë. Pritet të merren masa për një numër të madh kancelarësh dhe kryetarë të gjykatave.

Top Channel