7 ditë në Irak, më shtrenjtë se 8 muaj në Libi

28/10/2011 21:55

Një javë luftë në Afganistan ose në Irak u kushton Shteteve të Bashkuara më shumë se misioni 8-mujor në Libi.

Llogaria është bërë nga këshilltari për sigurinë kombëtare në administratën Obama, Tom Donilon, për “Washington Post”.

“Kontributi ynë total në tetë muaj operacione në Libi do të jetë 1.2 miliardë dollarë, më pak se kostoja e operacioneve të përjavshme në Afganistan dhe Irak”, ka deklaruar Donilon.

Këshilltari i presidentit amerikan ka theksuar se operacioni tregon se angazhimi i përbashkët për misionet ushtarake nuk është vetëm një slogan.

Presidenti Obama njoftoi më herët gjatë muajit tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Iraku brenda fundit të vitit.

Presidenti urdhëroi një tërheqje të plotë nga vendi, pothuajse 9 vjet nga pushtimi i tij, që nisi nën drejtimin e administratës së George W. Bush.

Rreth 39 mijë trupa amerikane do të mbeten në Irak nga maksimumi prej 165 mijë trupash që u vendosën në vitin 2008.

Ndërkohë që në Afganistan, trupat ushtarake të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të pranishme ende për një kohë të gjatë.

Top Channel