Përmbytje të mëdha kanë shkatërruar zona të tëra të kryeqytetit të Ganës, Akra, ndërsa nëntë persona janë konfirmuar të vdekur, lajmëruan mediat ndërkombëtare ditën e enjte.
Me mijëra janë të përmbyturit, ndërsa elektriciteti është ndërprerë në pjesën më të madhe të kryeqytetit. Shkollat dhe qendrat tregtare janë mbyllur, ndërsa disa spitale dhe klinika janë detyruar të shpërngulin të sëmurët.
Presidenti Johns Atta Mills ka vizituar zonat e prekura, ndërsa shërbimet e emergjencës i kanë ardhur në ndihmë me qindra personave, që të rrethuar nga ujrat, ishin ngjitur në çatitë e banesave të tyre për të shpëtuar.
Përmbytjet në tetor i kanë zënë tërësisht të papërgatitura autoritetet, ndërsa sezoni i shirave në vend është në tre muajt e verës.
Me shiun që vazhdon të jetë i rrëmbyer, lumenjtë po regjistrojnë rritje në nivelin e tyre dhe situata tashmë e rëndë mund të përkeqësohet. Paralelisht me përmbytjet në Ganë, edhe Tajlanda është gjunjëzuar nga ujrat, me mbi 350 viktima dhe Kryeministren që e ka shpallur vendin “në mëshirën e fatit”.
Top Channel