Zëvendëskryeministri serb Ivica Dacic ka deklaruar se ka ardhur koha që Serbia të thotë qartë dhe fortë se qëllimi i saj është përvetësimi i serbëve në veri të Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen “Vecernje Novosti”, Dacic ka theksuar se në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE duhet të diskutohet për cdo gjë, përfshirë idetë për shkëmbim territori.
“Është koha për një aksion më të vendosur. Beogradi nuk mund të përsërisë më parrulla të tipit “Kosova është Serbi”. Nëse do të rrijmë të shohim se cfarë bëjnë shqiptarët, atëherë rezultati do të jetë katastrofik”, ka deklaruar Dacic.
Ministri i Brendshëm serb i ka drejtuar edhe një apel, ndonëse jo direkt, kryeministrit kosovar Hashim Thaci, duke paralajmëruar me reagime nëse serbët e veriut lëndohen.
“Thaci duhet ta dijë se një sulm eventual ndaj serbëve nuk do të mbetet pa një reagim. Unë nuk kërcënoj askënd, por e them hapur se Serbia do ta mbrojë popullin e vet në Kosovë”, ka theksuar Dacic.
Ai ka vlerësuar se prania e barrikadave në veri të Kosovës nënkupton synimin e serbëve për të mos lejuar kthimin me dhunë të linjave administrative në kufij.
“Do të doja të mos kishte arsye që ato të mos ndodheshin aty, por më mirë barrikadat sesa armët”, është shprehur numri dy i qeverisë serbe.
Dacic ka shtuar më tej se në Serbi ekzistojnë dy rryma, njëra që mendon se Kosova është pjesë e Serbisë dhe tjetra që Beogradi s’ka më asnjë influencë atje dhe se duhet ta njohë atë sa më parë.
“Edhe pse themi se Kosova është e jona, vështirë se mund ta realizojmë sovranitetin mbi të. Shqiptarët kanë sovranitet derisa nuk bie mjegulla e parë. Atëherë helikopterët nuk mund të bartin më policë shqiptarë për t’i cuar në të ashtuquajturat dogana në veri”, ka shtuar Dacic.
Top Channel