Përkujtohet 140 vjetori i lindjes së Fishtës

25/10/2011 15:45

Një ekspozitë kushtuar 140 vjetorit të lindjes së klerikut të njohur at Gjergj Fishta, është hapur në një nga pavionet e Muzeut Kombëtar në Tiranë.

Në të janë ekspozuar sende të rralla, të cilat i përkisnin dikur At Gjergj Fishtës. Makina e shkrimit, bastuni, tavolina e  tij e punës, janë disa prej objekteve personale të personalitetit të shquar të letrave shqipe.

Iniciativa e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Shoqatën e Bukunistëve dhe Koleksionistëve Shqiptarë, ka shërbyer për të sjellë më pranë publikut një vështrim nga afër të jetës së Fishtës.

Ekspozita është organizuar në kuadër të 100 vjetorit të Pavaresisë së Shtetit Shqiptar, ku ndër të tjera është parashikuar edhe rikonstruktimi i shtëpisë së poetit dhe klerikut në fshatin Fishtë në Zadrimë të Lezhës.
 
At Gjergj Fishta ishte një poet, por edhe një përfaqësues i vazhdimësisë së Rilindjes shqiptare. Ai ishte aktiv në jetën sociale të kohës ku jetoi, duke arritur të bëhej edhe përfaqësues i Shkodrës në Parlament e më pas zëvendëskryetar i këtij institucioni.

Ndër vepra letrare që ai botoi, më e njohura  ishte “Lahuta e Malcís”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, botuar më 1904-ën. Në vitin 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” ndërsa më 1913, “Mrizi i Zanave”.

Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, atë të gjuhësisë etj. Ai ishte një mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe.

Top Channel