Knox-Sollecito: Vazhdojmë bashkë

25/10/2011 21:25

Të liruar nga akuzat për vrasjen e një studenteje britanike, Amanda Knox dhe i dashuri i saj, Raffaele Sollecito vazhdojnë të mbetet në kontakt, bëri të ditur një intervistë italiane.

Çifti u lirua pas më shumë se tre vitesh burgim, pasi u shpallën fajtorë dhe më pas të pafajshëm, për vrasjen e 21-vjeçares Meredith Kercher.

Duke thyer heshtjen për herë të parë në revistën e përjavshme italiane “Oggi”, Sollecito tha: “Kemi nevojë për njëri-tjetrin, flasim në telefon dhe i shkruajmë njëri-tjetrit çdo ditë. Më ka kërkuar që të shkoj ta vizitoj në Siatëll dhe pa dyshim që do të shkoj, në rastin më të keq për Krishtlindje, por mbase edhe më parë”.

Duke shpjeguar “torturën” e të qënit pas hekurave për tre vjet edhe pse i pafajshëm, Raffaelle shton: “Kemi nevojë t’i shkruajmë njëri-tjetrit për të kuptuar se çfarë na ndodhi dhe për të parë përpara drejt një të ardhme që na u duk e humbur përgjithmonë. Të dy kemi shumë gjëra që do të donim t’i thonim secilit pas katër viteve të mbyllur në qeli”.

Çifti u shpall fajtor në vitin 2009 për një vrasje të kryer në qytetin e Peruxhës, por në apel u provua se kodi gjenetik që u përdor për t’i burgosur, nuk ishte grumbulluar në përputhje me praktikat e duhura dhe mund të jepte rezultate të pavërteta.

 

Top Channel