Kinema, Twilight në epilog

25/10/2011 00:00

Aventurat horror dhe romantike të vampirëve të Twilight kanë mbërritur në epilog.

Dy filmat e fundit, të bazuar në librin e Stephenie Meyer “Breaking Down”, do të dalin në kinema i pari më 14 nëntor në Los Anxhelos, ndërsa i dyti në nëntor të vitit të ardhshëm.

Por ndërkohë, për publikun adoleshent po përgatitet një tjetër sagë me heronj të pathyeshëm, por edhe romantikë e të brishtë.

Bëhet fjalë për trilogjinë “Hunger Games”, bazuar në librin me të njëjtin titull të shkrimtares Suzanne Collins, që ka korrur sukses në të gjithë botën.

Nga libri në fjalë janë shitur 3 milionë kopje në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që vepra është përkthyer në 26 vende të botës.

Libri është ambjentuar në një të ardhme, kur Amerika e Veriut është shkatërruar nga një luftë globale dhe është krijuar Panem, një komb dikatorial.

Cdo vit drejtuesit e regjimit organizojnë lojra të ngjashme me ato të gladiatorëve të Romës së lashtë, por që në rastin konkret janë adoleshentë.

Protagoniste është një vajzë adoleshente, e cila është shumë e aftë të luftojë me hark, si dhe një djalë bashkëmoshatar që bie në dashuri me të.

Filmi në fjalë, me skena spektakolare aksioni, pritet të dalë në ekranin gjigand më 23 mars të vitit të ardhshëm dhe pritet të ndiqet nga dy episode të tjera me firmën e “Lionsgate”.

Top Channel