Berisha: Shtojmë lehtësirat fiskale

25/10/2011 19:30

Kryeministri Berisha, në një pritje të organizuar për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, i cilësoi “miqtë amerikanë” si vendimtarë në transformimin rrënjësor të Shqipërisë në 15 vitet e fundit, në të njëjtën kohë që falenderoi për kontributin e madh të dhënë në shumë sektorë të ekonomisë dhe premtoi lehtësira të mëtejshme fiskale për të gjithë investitorët e huaj.

“Ju falenderoj që jeni prezentë në këtë pritje, ndërsa unë jam i privilegjuar që ndodhem midis miqve më të çmuar të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Berisha, në fjalimin e mbajtur gjatë pritjes së të martës mbasdite.

“Çdo njëri prej jush që ka ardhur 15 vjet më parë në këtë vend, nuk mund të dallojë më pothuajse asgjë nga ajo Shqipëri. Është njësoj sikur të zgjohësh nga një gjumë i gjatë dhe të shohësh që gjithçka ka ndryshuar. Kontributi i fondacionit në të gjithë këto transformime të jashtëzakonshme është i paçmuar”, shtoi Kryeministri, i cili kujtoi disa prej investimeve kryesore të fondacionit.

“Ju ishit të parët që zgjeruat bashkëpunimin privat me çdo strukturë të shtetit dhe themeluat bankën e parë private në vend. Me një kapital fillestar prej 6-7 milion dollarësh, Banka Amerikane u shndërruar në një histori suksesi, në një gjigant të tregut bankar, që më në fund solli në Shqipëri të mirënjohurit e Intesa San Paolos. Një histori suksesi kanë njohur investimet amerikane edhe në aeroportin e Rinasit, në kartat biometrike, në arsim dhe shumë sektorë të tjerë të ekonomisë”.

Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha premtoi se qeveria e tij do të ndërmarrë lehtësira të mëtejshme fiskale, për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj në vend. “Është e qartë që këto nuk janë kohëra të lehta për ekonominë botërore, por Shqipëria ka vetëm një mundësi, të vazhdojë të rritet. Kjo do të realizohet nëpërmjet politikave të qeverisë, që do ta bëjnë vendin gjithmonë e më tërheqës për të gjithë investitorët, nëpërmjet miratimit të politikave që do të përkrahin bizneset dhe do të shtojnë lehtësirat fiskale përtë gjithë investitorët”.

Top Channel