KFOR-i konfirmoi se pika kufitare Kosovë-Serbi, në Bërnjak, është e hapur për qarkullim. Kjo është bërë e mundur pasi në afërsi të fshatit Banjsë, serbët e hoqën vullnetarisht një barrikadë.

Sipas RTK-së, ky veprim sipas KFOR-it është një shembull i mire për të gjithë serbët e veriut që të heqin vullnetarisht barrikadat e vendosura nëpër rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë.

Ndërkohë zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin ka thënë për KTV se “rruga drejt kësaj pike kufitare është e lirë dhe qarkullimi mund të bëhet normalisht. Kjo ka ndodhur pas konsultimeve që ka pasur Komanda e KFOR-it me serbët lokalë”. Sipas tij barrikadat ndodhen në rrugën që te con në pikën kufitare 1 në Jarinjë.

Prej dhjetë ditësh, paqeruajtësit ndërkombëtarë tentojnë të heqin barrikadat në veri, por pasi pengohen nga serbët, aksioni i tyre ndërpritet dhe pasojnë përpjekjet që ato të hiqen pa përdorimin e forcës.

Barrikadat u vendosen muajin e kaluar pas vënies nën kontroll të dy pikave doganore mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat për vite me radhë u shfrytëzuan për kontrabandë nga strukturat paralele serbe të kontrolluara nga Beogradi zyrtar dhe grupet kriminale të kësaj pjese të Kosovës.

Top Channel