Krerët lokalë serbë nuk bien dakort me Tadic

24/10/2011 00:00

Serbët e veriut të Kosovës nuk u pajtuan me presidentin serb, Boris Tadic, me të cilin patën një takim për pesë orë me radhë.

Ata thanë se është e vështirë të pranohet që EULEX-i të qarkullojë lirshëm nëpër këtë zonë pasi nuk ka garanci se nuk do të transportojnë punonjësit e doganave dhe Policisë së Kosovës. Por, po ashtu, sipas tyre, EULEX-i është duke zbatuar planin e Ahtisarit që nënkupton pavarësinë e Kosovës.

Katër kryetarët e komunave të veriut kanë thënë se nuk është arritur një progres substancial në bisedimet me presidentin serb. Sllavisha Ristic, kryetar i Zubin Potokut, ka thënë se Tadic ka kërkuar lëvizjen e lirë për EULEX-in, por për këtë duhet pyetur populli.

Por, barrikadat do të ngelin deri në një kohë tjetër. Ndërkaq më herët presidenti Tadic ka bërë të ditura qëndrimet e tij lidhur me këto pika dhe ka kërkuar që institucionet ndërkombëtare të jenë objektive, ndërsa ka thënë se është e nevojshme të arrihet paqe dhe stabilitet duke ftuar serbët të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.

KFOR-i nuk arriti të heqë barrikadat

Nderkohe ne oret e para te mengjesit te se shtunes, pjesëtarët e KFOR-it zviceran dhe maroken u perpoqen qe te hiqnin barrikadën në afërsi të Rudares, por pas 30 minutash janë kthyer sërish në bazë.

Po ashtu, nga ana e pikës kufitare Bërnjak, përkatësisht në fshatin Jegenicë, ushtarë hungarezë dhe gjermanë të KFOR-it nisen punën për heqjen e barrikadës në këtë fshat, por janë tërhequr pas grumbullimit të qytetarëve serbë.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Erhard Dreës u ka tërhequr vërejtje serbëve të veriut se nëse nuk i largojnë barrikadat, atëherë ushtarët janë të detyruar të ndërhyjnë për të siguruar lëvizjen e lirë.

Ai të premten pasdite vizitoi bazën ushtarake të KFOR-it në Jegenicë, ku para gazetarvëve serbë dhe rusë, të vetmit që u lejuan të hyjnë në këtë zonë, theksoi se misioni i KFOR-it sipas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, obligohet për siguri të lëvizjes së lirë për të gjithë dhe këtu duhen hequr edhe barrikadat.

Nga ana tjetër, kryetarët paralelë të komunave në veri të Kosovës, vazhdojnë t’ju japin mbështetjeve qytetarëve serbë për të qëndruar në barrikada. Kryetari i Zubinpotokut, Sllavisha Ristic, ka përsëritur se qëllimi i tyre është që në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje nuk do të ketë dogana dhe as policë kufitarë të Kosovës.

 

Top Channel