Berisha: Reformën, me opozitën

24/10/2011 00:00

Ditën kur një delegacion i Komisionit të Venecias vizitoi Tiranën,
kryeministri Sali Berisha shprehu gatishmërinë e tij për t’u ulur një
komision për reformën zgjedhore, ku opozita do të kishte të drejta të
barabarta me mazhorancën.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë gjerësisht me OSBE/ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias dhe opozita në këtë komision, të ketë të drejtën e vetos, pra sic ka kërkuar edhe vetë në kushte pariteti të plotë”, tha Berisha.

Kryeministri shtoi se është i gatshëm të pranojë të gjitha propozimet e socialistëve, nëse marrin më parë pëlqimin e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias.

“Pse? Sepse jemi te sigurte se komisioni i Venecias dhe ODIHR-i do te mbrojë standardet ndërkombëtare”, tha Berisha.

Kryeministri u shpreh i gatshëm për rishikimin edhe të rregullores së parlamentit, por duke u bazuar mbi rregulloren e Parlamentit Europian.

“Për rregulloren e parlamentit ne jemi të gatshëm menjëherë të nisim punën, bazuar në rregulloren e Parlamentit Europian”, tha Berisha.

Kryeministri tha se kjo ishte oferta e tij për opozitën. Por u shpreh mosbesues, nëse opozita do ta pranojë apo jo. Sipas tij, kryetarit Edi Rama i ka mbetur ora te humbja e bashkisë së Tiranës. “Humbjes do t’i kushtojë një libër”, – tha me ironi kryeministri Berisha.

Top Channel