Tajlandë, përmbytjet edhe për 6 javë

22/10/2011 16:10

Përmbytjet më të këqija në dekadat e fundit që kanë përfshirë Tajlandën parashikohet të zgjasin edhe për gjashtë javë të tjera.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministrja Yingluck Shinawatra, e cila paralajmëroi banorët e Bangkokut që të përgatiten për përmbytjet, pasi situata është “jashtëzakonisht serioze”.

Tre muaj shira të dendura kanë lënë zona të tëra të vendit nën ujë dhe kanë cuar numrin e viktimave në 350 vetë.

Veriu dhe zonat qendrore ishin më të prekurat fillimisht, por tani katastrofa natyrore po drejtohet për në jug, duke kërcënuar Bangkokun.

Kryeministrja Shinawatra ka shfrytëzuar ligjin për katastrofat për të marrë nën kontrollin e saj menaxhimin e situatës.

Në fjalimin e saj të përjavshëm televiziv, ajo u tha banorëve të Bangkokut që të ngrinin objektet e tyre të paktën një metër nga toka.

“Bangkoku duhet të hapë të gjitha portat e ujit në mënyrë që uji të kalojë përtej. Për këtë arsye, gjatë kësaj fundjave të gjithë banorët duhet që objektet e tyre, si për shembull makinat, t’i vendosin në vende të paktën 1 metër të larta”, deklaroi Shinawatra.

Aktualisht ka një rrymë të fuqishme uji që po rrjedh nga veriu dhe që autoritetet nuk mund ta bllokojnë plotësisht, pasi barrierat janë të përkohshme.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare në Bangkok deklarojnë se kryeqyteti është ende i thatë, por situata në rrethinat e tij mbetet e rëndë.

Top Channel