Strauss Kahn, me prostituta në Belgjikë

22/10/2011 18:00

Pas festave me drita të kuqe në Paris, të zbuluara të premten nga shtypi francez, edhe shtypi belg ka shkruar për jetën seksuale të Dominique Strauss Kahn.

Kështu, e përditshmja “La Derniere Heure” flet për takime që ish-kreu i FMN-së ka pasur me disa prostituta në Belgjikë.

Gazeta citon disa dëshmitarë që e kanë parë Strauss Kahn në restorantin e një hoteli luksoz në Kurtrai, në shoqërinë e një prostitute të njohur të zonës.


Francë, tërhiqen akuzat ndaj Strauss-Kahn

Shkrimet në gazetat franceze dhe ato belge vijnë nëntë ditë pasi një gjykatë franceze rrëzoi akuzat për abuzim seksual të ngritura ndaj Kahn.

Në dhënien e vendimit, trupi gjykues u shpreh se ndërsa ekzistonin prova për një aktivitet seksual të të pandehurit, nuk kishte asnjë fakt që të vërtetonte se marrëdhënia kishte qenë e padëshiruar nga partnerja e tij.

Akuzuesja e politikanit ishte shkrimtarja franceze, Tristane Banon, sipas të cilës, Kahn u përpoq ta përdhunonte në vitin 2003.

Padia u ngrit prej saj ndërsa Strauss-Kahn u vendos në qendër të “syrit të ciklonit” kur u akuzua për përdhunimin e një punonjëseje hoteli në Nju Jork, akuzë e cila gjithashtu u tërhoq më vonë.

Sipas mbështetësve të Strauss Kahn, sulmet janë orkestruar nga presidenti aktual i Francës, Nicolas Sarkozy, për të shkatërruar reputacionin e tij, në mënyrë që të pengojë kandidimin e tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Sondazhet e kryera në Francë tregonin se ndërsa përballë një kandidati tjetër Sarkozy do të kishte shanse më të mira ose pak a shumë të barabarta për të fituar, ndaj ish-kreut të FMN-së e kishte humbjen pothuajse të sigurt.

Zgjedhjet në Francë zhvillohen me dy raunde. Në të parin, të gjithë partitë janë të lira të paraqesin kandatët e tyre presidencialë. Ata që mbledhin më shumë vota shkojnë në raundin e dytë, ku fituesi zgjidhet president.

Top Channel