Filmi i Affleck frymëzon grabitësit

22/10/2011 18:40

Trillimi bëhet realitet dhe frymëzon fantazinë e hajdutëve! Kështu ka ndodhur në Nju Jork, ku një grup prej pesë hajdutësh ka grabitur banka, piceri dhe ndonjë dyqan duke ndjekur shembullin e filmit të Ben Affleck, “Qyteti”.

Filmi rrëfen bëmat e një bande që kryen qindra grabitje në bankat e Bostonit, duke derdhur detergjentë në bankomate për të eleminuar gjurmët e ADN-së.

Me të njëjtën teknikë, hajdutët e vërtetë, në një periudhë pothuajse 1-vjecare, kanë vënë në shenjë mbi 60 subjekte, duke grabitur plot 217 mijë dollarë.

Por në këtë rast epilogu ka qenë i ndryshëm dhe për banditët njujorkezë nuk ka pasur një fund të lumtur, pasi të gjithë u vunë në pranga dhe u dërguan prapa hekurave.

Pas arrestimit, gjatë marrjes në pyetje nga policia, ata nuk hezituan të thoshin se ishin frymëzuar nga filmi i Ben Afflec.

Nuk është hera e parë që bota e krimit përdor sugjerimet e prodhimeve kinematografike. Në vitin 2005, në lagjen Kuins të Nju Jorkut, një bandë droge përdori idetë e serialit “The Wire” të HBO dhe për një periudhë kohe i shpëtoi drejtësisë.

Top Channel