S’ka varr për Gaddafi-n

21/10/2011 21:30

Qeveria e Libisë nuk ka vendosur ende se ku do të varroset Muammar Gaddafi, vecanërisht pas rrethanave të ekzekutimit të tij.

Ministri i Naftës, Ali Tarhuni tha se trupi i ish-udhëheqësit do të mbahet për disa ditë në morgun e Misratës, ndërsa sipas traditës myslimane, varrimi duhet të bëhet fill pas vdekjes.

Korrespondentja e BBC thotë se flitet për një ceremoni varrimi sekrete, por ka dhe spekullime se trupi mund të hidhet në det, ashtu sic ndodhi dhe me Osama bin Laden-in, për të penguar që varri të shndërrohet në një vend të shenjtë pelegrinazhi.

Disa zyrtarë që folën për agjencinë “Reuters”, në kushtet e anonimatit thanë se ekzistojnë kontradikta mes përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit.

Nga ana tjetër citohet komandanti Abdel Majid Mlegta, i cili tha se anëtarët e fisit të kolonelit po kontaktojnë për të diskutuar mundësinë për varrimin e tij.

Ndërkohë, janë shtuar pikëpyetjet se cfarë i ka ndodhur Muammar Gafdafi-t në momentet e fundit, fill pas kapjes së tij.

Zyrtarët libianë mohuan se ai është ekzekutuar. Kryeministri në detyrë, Mahmoud Jibril tha se Gaddafi u qëllua në kokë pas një shkëmbimi zjarri mes besnikëve të tij dhe luftetarëve të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, ndërsa ai ishte kapur në Sirte.

Pamjet filmike sugjerojnë se ai ishte tërhequr zvarrë nëpër rrugë. Të premten, komisionerja për të Drejtat e Njeriut Navy Pellay tha se do të behet nje hetim i plotë për vrasjen e tij. Zëdhënësi i saj i tha BBC se, vdekja e Gaddafi-t mund të ketë qenë e paligjshme.

“Janë dy video, njëra që e tregon të gjallë dhe një tjetër ku ai duket i vdekur, si dhe ka katër apo pesë versione të ndryshme për cfarë ka ndodhur mes dy videove të para. Kjo ngre shumë pikëpyetje”, ka deklaruar zëdhënësi.

Edhe Amnesty International kërkoi një hetim të plotë, të pavarur e të paanshëm. Këshilli Kombëtar i Tranzicionit të shtunën do të shpallë clirimin e vendit nga Bengazi.

Nga ana tjetër, NATO pritet të deklarojë fundin e fushatës së bombardimeve. Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha se vdekja e Gaddafi-t do të thotë se ndërhyrja ushtarake shënoi fundin e saj.

Top Channel