Familja Hoxha: Protestë për drejtësi

21/10/2011 23:55

Zvarritja për 16 vjet e zbardhjes së fatit të biznesmenit shqiptar Remzi Hoxha dhe mosekstradimi në Shqipëri nga Britania e Madhe njërit nga të dyshuarit për vrasjen e tij, Ilir Kumbaro, ka shtyrë familjarët dhe shumë qytetarë të protestojnë tek Ambasada Britanike në Prishtinë.

Gjatë kësaj proteste ata kanë kërkuar që Kumbaro të ekstradohet në Shqipëri për t’u gjykuar në mënyrë që të marrë dënimin e merituar, megjithëse kjo familje tashmë ka humbur besimin në drejtësinë shqiptare.

Edhe pse familjaret e Remziut kërkojnë ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri, djali i ish-biznesmenit, Ardian Hoxha thotë se janë dëshmitarë se pushteti në Shqipëri, përkrah dhe shpërblen vrasësit e babait të tij, duke i zhdukur gjurmët dhe duke u dhënë atyre poste të larta shtetërore.

“Nëse ligji nuk funksionon, atëherë duhet të merremi privatisht me secilin individ. E kemi cek se edhe ajo është njëra ndër opsionet, por do ta shohim në të ardhmen. Dua ta pyes kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, përse iu del në mbrojtje këtyre kriminelëve? Përse e pengon drejtësinë? Përse e pengon ekstradimin e Ilir Kumbaros?”, thotë Ardian Hoxha.

Ai ka shtuar më tej se babai i tij ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj të kauzës shqiptare dhe ndoshta, sipas tij, kjo ka qenë arsyeja që i ka penguar vrasësit e tij, por ndoshta edhe kanë qenë bizneset sekrete që kanë zhvilluar mes Serbisë dhe kriminelët serbë të pushtetit të asaj kohe, për të cilat Remziu kishte njohuri.

“Neve na vjen turp që duhet të na gjykojë një Strazburg, shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë! Turp duhet t’i vijë edhe qeverisë, e cila e pengon drejtësinë! Turp duhet t’i vijë se të zhduket një njeri që ka kontribuar për kombin kaq lehtë! Po çka do të ndodhë me neve, turp duhet t’i vijë se reformat që dedikohen edhe nga Bashkimi Europian që nuk afirmohen dhe nuk zbatohen në Shqipëri, dhe çka është jeta e qytetarëve kur jeta e një njeriu në Shqipëri as pesë lekë nuk vlen?!”, shton ai.

Ndërkaq, me të përfunduar protesta, para ambasadës doli zëvendësambasadori britanik në Kosovë, Joe Preston, i cili bisedoi më Ardian Hoxhën, djalin e Remziut, për t’u njohur me detajet e protestës në fjalë.

Top Channel