Shekspiri do flasë shqip në Londër

20/10/2011 21:05

Trupa e Teatrit Kombëtar do të performojë në Teatrin e Shekspirit në Londër.

Rreth 1 milion bileta do të jenë në shitje për të ndjekur Festivalin e Shekspirit 2012, një event ndërkombëtar që do të fillojë në ditën e lindjes së gjeniut të letërsisë më 23 Prill, në Londër.

Ndër 37 trupat e përzgjedhura nga organizatorët e festivalit, për të performuar secilën nga 37 veprat më të njohura të Shekspirit, do të jetë edhe një trupë e Teatrit Kombëtar nën drejtimin e regjizorit Adonis Filipi.

“Për herë të parë, në kuadër të Lojërave Olimpike të Londrës, kurora e këtyre lojërave do të jetë Shekspiri. Do të jenë 37 vende të botës që do të përformojnë secila në gjuhën e tyre, mes tyre edhe ne”, shprehet Kristaq Skrami, drejtor i Teatrit Kombëtar.

Teatri Globe në Londër njihet në mbarë botën, pasi në të rreth 400 vjet më parë, ambasadori më i njohur i kultures britanike në botë filloi të vinte në skenë veprat e tij të madhërishme.  

“Është një nder i madh për teatrin shqiptar të bëhet pjesë e këtij aktiviteti”, thekson Fiona McIlwham, Ambasadore e Britanisë së Madhe në Shqipëri.  

Datat e caktuara për performancën, e cila do të bëhet në shqip, janë më 12 dhe 13 Maj të vitit 2012.

Top Channel