Dy të tretat e ujit të pijshëm vidhet

20/10/2011 04:30

Shqipëria është një vend shumë i pasur me burime ujore, megjithatë ajo nuk ka ujë. Në periudha të ndryshme të vitit, lagje të tëra mbeten pa furnizim, ndërsa furnizimi 24-orësh mbetet një ëndërr për shumicën e Shqipërisë.

Sipas gazetës “Shqip”, një strategji e qeverisë për zhvillimin e rrjetit kombëtar të ujësjellësve dhe kanalizimeve jep disa shpjegime për faktin se si mund të ndodhë që një vend i pasur me burime ujore nuk ka ujë të rrjedhshëm nëpër shtëpi.

Sipas raportit të qeverisë, dy të tretat e ujit të hedhur në rrjet vidhet dhe nga një e treta që faturohet, një pjesë nuk paguhet kurrë.

Ujësjellësit janë ndërmarrje të mbingopur me punëtorë që duket se nuk bëjnë asgjë, nuk janë në gjendje të mbledhin faturat dhe dalin me humbje, të cilat mbulohen nga paratë e taksapaguesve.

“Për vitin 2010 raportohet se prodhimi mesatar i ujit qe 301 litra për frymë në ditë (292 milionë metra kub në vit) dhe shitja mesatare e ujit qe 110 litra për frymë në ditë ose 107 milionë metra kub në vit. Shifrat e mësipërme tregojnë se uji i pafaturuar për vitin 2010-n qe 63.2 për qind (e totalit të prodhuar)”, thuhet në raportin e qeverisë.

Më pak se gjysma e konsumatorëve kanë matës të ujit, ndërsa pjesa tjetër faturohen aforfe. Raporti thotë gjithashtu se, burimet e ujit në dispozicion të ujësjellësve janë aktualisht tri herë më të larta se sa konsumi, por Shqipëria nuk ka një rrjet kombëtar dhe në disa zona të vendit, si p.sh, në Durrës, kërkesa për ujë është më e ulët se sa kapaciteti furnizues.

Vetëm dy ujësjellës në Shqipëri, Librazhdi dhe Korça, ofrojnë shërbim ujësjellësi 24-orësh, ndërsa mesatarja e furnizimit për pjesën tjetër të vendit është 11 orë në ditë, sipas raportit.

Top Channel