Itali, policët protestë para Parlamentit

18/10/2011 15:00

Rreth 100 policë të seksioneve të ndryshme në Itali po manifestojnë përpara Dhomës dhe Senatit të Parlamentit, për të kundërshtuar shkurtimet financiare në sektorin e sigurisë.

Agjentët kanë mbajtur në duar bidonë benzine, për t’u kërkuar simbolikisht qytetarëve ndihmë për të mbushur serbatorët e makinave të tyre, që kanë mbetur bosh nga mungesa e burimeve financiare.

“Lëvizja jonë është e domosdoshme, sepse qeveria në tre vitet e fundit nuk ka mbajtur premtimet e bëra, duke reduktuar burimet për sektorin e sigurisë publike”, ka deklaruar një përfaqësues i sindikatave që mbështesin policinë.

I njëjti person ka kujtuar se tre ditë më parë ekzekutivi shkurtoi 60 milionë euro të tjera, në kuadër të projekt/ligjit për stabilitetin financiar, të cilat më parë ishin caktuar për rendin publik dhe misionet e policisë.

Me manifestimin e agjentëve është bashkuar lideri i partisë opozitare Italia dei Valori, Antonio Di Pietro, që është solidarizuar me motivet e protestës.

Top Channel