Bulqizë, një i vdekur, 8 të plagosur

18/10/2011 00:00

Një minator u vra dhe 8 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i gazit në një galeri të minieres së kromit në Bulqize.

Galeria ndodhet nën administrimin e kompanise “ACR”, e cila për tre muaj rresht u përball me grevën e minatorëve që kërkonin më shumë siguri në punë.

Shpërthimi ndodhi mëngjesin e së martes dhe viktima është 39 vjeçari Naim Shyti, punonjës i grupeve te ajrimit, një pjesetar i rregullt i çdo proteste që minatoret e Bulqizës organizuan gjatë dy muajve të fundit.

Grupi është futur në nivelin 16 për të vendosur sistemin e ajrimit të këtij niveli. Gazmatësi ka diktuar nivele shumë të larta të hidrogjenit dhe ka kërkuar që minatorët të dalin me shpejtesi, por fatkeqësisht një shkëndijë e ka ndezur atë dhe ka shkaktuar shpërthimin tragjik.

Ekipet e shpëtimit i kanë nxjerrë minatorët nga nëntoka. Fillimisht dolën 8 prej tyre, njëri prej të cilëve i vdekur, ndërsa më vonë u gjet edhe minatori i nëntë i plagosur.

Të dëmtuarit pësuan fraktura dhe djegie të mëdha dhe u nisën për në spitalin e qytetit. Tre prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe u dërguan në spitalin ushtarak në Tiranë me helikopter.

Në Bulqizë, minatorët tregojnë për minutat e vështira që kaluan nëntokë ndërsa ndodhi shpërthimi.

”Në momentin e parë u futën tre punonjësit e ajrimit, me pajisjet që ishin dhënë nga drejtoria. Më moment kur ka ndodhur shpërthimi i parë, me të dytin nuk ndiemë më asgjë fare. Pasi u shpua një vrimë për në nivelin e 21-të, doli hidrogjen, i cili është shumë më i rrezikshëm se gazi metan, pasi ka veti shumë shpërthyese. Indidenti ndodhi kur po largoheshim pasi gazmatësi tregoi se do të ishte shumë e rrezikshme të qëndronim”, shprehet Agim Përkola, një prej minatorëve të plagosur.

Në minierë ka shkuar edhe zv/ministri ekonomisë, Neritan Alibali. “Bashkë me interesimin për minatorët e plagosur, kemi ardhur këtu edhe për të konstatuar se çfarë ka ndodhur realisht. Të jeni të sigurt se të gjithë do të mbajnë përgjegjësitë, sipas pjesës së tyre të fajita”, tha ai.

Ish-drejtuesi grevës së urise, minatori Baki Bajraktari pretendon për shkelje që sollën edhe aksidentin e rëndë: “Në këtë front as që duhet të ishte punuar fare, sepse nga 0,5% që duhet të ketë nivelin e tij gazi, kishte shkuar në dy. Kur gazmatësi tregon dy, puna duhet të ndërpritet menjëherë deri sa të zbresë në 0,5%, por ata i detyruan dhe shikoni si shkoi. Tre muaj këtë kërkuam ne, siguri në punë dhe ja ku jemi”.

Kompania “ACR” ka sqaruar zyrtarisht se ngjarja ndodhi në oren 10, kur grupi ekspert i ajrimit në përbërje e të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit.

Pas disa momentesh, kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40 – 50 metra larg ballit të punimit ka ndodhur shpërthimi.

”ACR” shprehu hidherimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit Naim Shyti. Ndërkohë, Prokuroria e Dibrës, e cila ka nisur hetimet, ka bllokuar të gjithë dokumentacionin e ACR-së.

Edhe inspektimi i galerisë është shtyrë, pasi niveli i hidrogjenit është i lartë, gjë që përbën rrezik dhe miniera është mbyllur.
 
Pranë të plagosurve, në spitalin ushtarak ka shkuar edhe kryetari socialist Edi Rama, i cili ngushëllon familjen
e minatorit të vrarë dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve solidarizohet edhe një herë me Bulqizën e me të gjithë “skllevërit e korrupsionit qeveritar” në Bulqizë.

Top Channel