Ahmadinexhad sulmon sërish SHBA

18/10/2011 02:55

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad ritheksoi qendrimin e Teherani në lidhje me akuzat e Shteteve të Bashkuara për lidhje dhe nxitje të një sulmi terrorist brenda tokës amerikane, me objektiv ambasadorin saudit në Uashington.

Në një intervistë për televizionin arab, Al Jazeera, Ahmadinexhad tha se akuzat janë të trilluara dhe se synimi i tyre i vetëm është që të nxisin tensione mes Iranit dhe Arabisë Saudite.

“Gjithcka fabrikohet nga Uashingtoni për të nxitur tensione mes Teheranit dhe Riadit. Por të tilla trillime janë të parashkruara të vdesin”, tha Ahmadinexhad.

Disa ditë më parë, autoritetet amerikane ndaluan një person me shtetësi amerikane e me origjinë nga Irani, nën akuzën e komplotit ndaj ambasadorit saudit në Uashington. Shtëpia e Bardhe deklaroi atëherë se sulmi ishte përgatitur nga Irani dhe për këtë shpalli në kërkim edhe një person të dytë, rezident në Iran e që dyshohet si anëtar i forcave elitare iraniane, të ashtuquajturat Garda Revolucionare.

Vetë presidenti amerikan, Barak Obama do të deklaronte se ndaj Iranit do të merreshin të gjitha hapat e nevojshme për të ndalur shkeljen e së drejtës ndërkombëtare prej tij. Obama paralajmëroi sanksione shtesë ndaj Republikës Islamike.

Top Channel