Itali, superoperacion kundër anarkistëve

17/10/2011 16:30

Pas përleshjeve të dhunshme të së shtunës në Romë, gjatë manifestimeve të të indinjuarve, sot në gjithë Italinë është ndërmarrë një operacion i policisë dhe karabinierëve.

Në kuadër të operacionit forcat e rendit kanë kryer kontrolle të shumta në ambjentet e frekuentuara nga anarkistët dhe ekstremistët radikalë, thuhet në një komunikatë të policisë.

Ditën e diel, në Firence u ndaluan gjashtë persona për mbajtje të objekteve të rrezikshme, por që më pas u liruan nga kuestura e kryeqendrës toskane.

Të gjashtë ata vinin nga ambjente anarkiste dhe kishin precedentë penalë për akte dhune dhe manifestime të dhunshme në sheshet e qytetit verior.

Ndërsa në Napoli policia dhe karabinierët njoftojnë se kanë kryer rreth 20 kontrolle në banesat e personave të dyshuar për ekstremizëm, por pa ndonjë rezultat.

Në Milano, bën të ditur kuestura lokale, janë kryer gjashtë kontrolle në banesat e disa të rinjve, militantë të një qendre sociale. Vetëm në një rast agjentët kanë sekuestruar material, por pa denoncuar njeri.

Operacioni i shtrirë nga veriu në jug të vendit vjen pas 12 arrestimeve të kryera lidhur me incidentet e së shtunës në Romë nga huliganët.

Ata shfrytëzuan manifestimin e të indinjuarve dhe, të veshur me maska të zeza sulmuan vitrina dyqanesh e bankash, si dhe u vunë flakën disa makinave, civile dhe policie, duke plagosur rreth 70 vetë. Ndërsa dëmi material i shkaktuar arrin në 1 milion euro.

Top Channel